LAJMI I FUNDIT:

Gjithçka do duhet të ndryshojë

Gjithçka do duhet të ndryshojë
Ilustrim

Emanuel Salinas

Nga yjet e rokut te lexuesit e dorës: Ndërsa siguria kushton, pasiguria është e dhimbshme, por jo gjithmonë një gjë e keqe. Bllokimet e udhëve mund të na ndihmojnë të gjejmë shtigje të reja. Ekziston një mit për një mallkim kinez (1) kur dikush i uron dikujt të ‘jetojë në kohë interesante’. Është e lehtë të kuptohet pse ky mund të konsiderohet një mallkim. Po jetojmë në kohë interesante, me kujtimet e dhimbshme më të fundit nga tronditjet e shumta (përfshirë përmbytjet dhe thatësirat, tërmetin, një pandemi dhe një krizë globale energjetike dhe ushqimore) dhe pasiguri për të ardhmen. Të jetosh në kohë interesante nuk është kënaqësi.

Kohët e fundit kam lexuar se truri i njeriut e përpunon pasigurinë në mënyrë të ngjashme me dhimbjen, dhe ne dëshirojmë sigurinë në të njëjtën mënyrë siç dëshirojmë ushqimin (2). Madje, aq shumë, sa jemi gati të shpenzojmë shumë përpjekje, kohë dhe para për të pasur një ndjenjë sigurie. Vetëm në ShBA, vitin e kaluar njerëzit u paguan lexuesve të dorës 2.2 miliardë dollarë për të ndriçuar (3) të ardhmen, dhe 28.5 miliardë dollarë të tjerë për analistët që parashikojnë se ç’drejtim do të marrë tregu i aksioneve. Nëse vërtet kjo e zbulon të ardhmen, do t’jua lë juve të vendosni. Në çdo rast, dëshira për siguri kushton shtrenjtë.


Ndoshta duhet të fokusohemi më pak në kërkimin e sigurisë dhe më shumë te qëndrueshmëria dhe përballimi

Ndërsa siguria është e vështirë të arrihet, qëndrueshmëria varet shumë nga ne. Ne nuk mund të krijojmë shiun (të paktën ende jo), por mund të përdorim me përgjegjshmëri ujin që kemi në dispozicion. Nuk mund ta shmangim faktin që teknologjia po nxjerr të tepërta shumë vende pune, por mund të rinovojmë arsimin në mënyrë që studentët të fitojnë aftësitë e duhura që i përgatitin për punë më komplekse, por të paguara mirë. Nuk e duam ndryshimin e klimës, por mund ta përshtatim bujqësinë me llojet e ndryshme të motit dhe ta përdorim atë si një mundësi për të përmirësuar proceset e prodhimit. Nuk mund të eliminojmë rrezikun e pandemisë, por mund të forcojmë sistemet e kujdesit shëndetësor dhe spitalet. Nuk mund të parashikojmë se kur do të ndodhë kriza e ardhshme financiare, por mund të përpiqemi të reduktojmë borxhet tona për të shmangur ekspozimin ndaj normave të larta të interesit. Nuk mund të parandalojmë ose të parashikojmë se kur do të ndodhin tërmetet, por mund të jemi të përgatitur për të zbutur ndikimin e tyre dhe të përgjigjemi me shpejtësi kur ato ndodhin. Ne as nuk mund të parashikojmë se çfarë rreziqesh të reja na presin që as nuk jemi të vetëdijshëm se ekzistojnë, por mund të jemi të matur se si i shpenzojmë paratë tona dhe, siç do të thoshin të parët tanë, ‘kurse për ditë të këqija’. Po e përqafojmë këtë qasje dhe po veprojmë sipas saj. Ja se si.

Pasiguria nuk është gjithmonë e keqe: një pengesë në rrugën tuaj mund t’ju ndihmojë të gjeni rrugë më të mira

Kohët e fundit kam dëgjuar historinë e një producenti muzikor që i pëlqente të krijonte pasiguri. Ai e bëri këtë duke sjellë një tufë letrash në studion e regjistrimit që udhëzonin rastësisht instrumentistët të bënin gjëra të papritura si improvizimi i akordeve, ndryshimi i instrumenteve (vendosja e kitarës kryesore në bateri dhe anasjelltas) dhe gjëra të tjera të papritura. Të gjithë e urrenin! Emri i producentit është Brian Eno dhe rezultati ishte disa nga albumet ikonë të të gjitha kohërave nga artistë që përfshijnë U2, David Bowie dhe Coldplay (4). Duket se vënia e artistëve në situata të papritura dhe shpesh të pakëndshme i bëri ata më vigjilentë, më kreativë dhe të aftë për të gjetur shtigje më të mira. OK, por me siguri ju do të thoni, kjo është një gjë për yjet e rock-ut, jo për njerëzit e thjeshtë si ju dhe unë. Epo, jo tamam ashtu. Një studim tregon se shumë njerëz që përballen me vështirësi në udhëtimin e tyre të përditshëm (si bllokimi i një rruge) në fakt gjejnë mënyra më të mira për të arritur në destinacionin e tyre e që përndryshe nuk do t’i kishin zbuluar. Ndonjëherë na duhet një pengesë për të gjetur një rrugë më të mirë.

Në Bankën Botërore, në mënyrën tonë (shumë larg yjeve të rokut dhe albumeve të vlerësuara me çmime), ne po shfrytëzojmë pasigurinë e ndryshimeve klimatike për të sjellë qasje të reja për mënyrën se si të përballemi me sfidat e vjetra dhe të reja. Duke punuar së bashku me Ministrinë e Bujqësisë, po përdorim ndryshimet klimatike si kërkesë urgjente për të miratuar procese të reja më elastike në bujqësi dhe ujitje, të cilat jo vetëm kanë qëllim të adresojnë pasigurinë e rënies së reshjeve, por gjithashtu krijojnë vende pune të paguara më mirë dhe eksporte me vlerë më të lartë. Gjithashtu, po shfrytëzojmë ndryshimet teknologjike për të sjellë më shumë financime në sektorin e bujqësisë (një sektor që zë më pak se gjashtë për qind të totalit të kredisë bankare, por që gjeneron rreth 30 për qind të vendeve të punës dhe afërsisht 20 për qind të eksporteve). Pa ndryshimet klimatike dhe ndërhyrjet e teknologjisë, ne ndoshta do të kënaqeshim me qasjet më tradicionale dhe që ndoshta do të sillnin rezultate modeste. Por, po gjejmë shtigje më të mira.

Në mënyrë të ngjashme, siç e dimë, sektori i kujdesit shëndetësor në Shqipëri u ndikua nga dy goditje të njëpasnjëshme. Tërmeti i vitit 2019 preku spitalet dhe pandemia e mëvonshme vuri akoma më në dukje kapacitetin e atyre që funksiononin ende. Në atë periudhë kishim një projekt në zbatim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. E rishikuam projektin dhe mobilizuam fonde shtesë për t’u fokusuar në rindërtimin e spitaleve të dëmtuara, përmirësimin e mjediseve të atyre të padëmtuara si dhe blerjen e autoambulancave dhe pajisjeve (për diagnostikime grafike, skaner etj.). Rinovimi i një spitali në mes të pandemisë ishte si të zëvendësoheshin motorët e një avioni, ndërsa fluturonte. Por funksionoi! Tani, jo vetëm që jemi më të përgatitur për t’u përballur me goditjet, por shërbimi është përmirësuar shumë për mbi 500 mijë përfitues. Dhe në këtë kuadër, do të rinovojmë pesë spitale të tjera përgjatë dy viteve të ardhshme. Para disa ditësh mora pjesë në hapjen e spitalit për sëmundjet infektive në QSUT Nënë Tereza. Një ceremoni shumë emocionuese, një rast i mirë për të falënderuar prapë mjekët dhe infermierët për gjithë mundin dhe kujdesin e treguar. Sërish, është momenti të shohim pas se si nuk u paralizuam nga goditjet, por përkundrazi, morëm energji për të bërë më shumë, më shpejt dhe më mirë.

Kemi pasur një vjeshtë shumë të thatë, e cila shtoi shqetësimet për energjinë, pasi hidrocentralet janë mënyra kryesore e prodhimit të energjisë elektrike. U lutëm për shira. Dhe ato erdhën. Pati shira nga 12 deri nga 20 nëntori. Aq shumë shira, sa pati përmbytje dhe u bllokuan ura dhe rrugë. Me ndryshimet klimatike, përmbytjet me gjasë do të bëhen më të shpeshta, ndaj së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë do të rindërtojmë urat që janë më të rrezikuara nga shembja në rast përmbytjesh dhe tërmetesh dhe, ndërkohë, po përmirësojmë rrugët lokale dhe rajonale. Kjo nënkupton jo vetëm infrastrukturë më të fortë, por edhe rrugë më të sigurta, akses më të lehtë në tregje dhe më shumë konkurrencë. Ne po mbështesim gjithashtu veprime që do të rrisin qëndrueshmërinë e sektorit energjetik përmes rritjes së diversifikimit të burimeve të energjisë së gjelbër (për të qenë më pak të varur nga shirat), duke reduktuar humbjet e energjisë dhe duke rritur eficiencën e saj. Pra, po shfrytëzojmë urgjencën e këtyre rreziqeve që i urrejmë, jo vetëm për të gjetur, por realisht për të ndërtuar shtigje më të mira.

Që gjërat të mbeten të njëjta, gjithçka do duhet të ndryshojë (5).

Forma më e rëndësishme e sigurisë është që gjërat të mbeten të njëjta. Ne duam të mbajmë atë që vlerësojmë më shumë. Ne duam që familja jonë të jetë gjithmonë aty. Ne duam që të rinjtë të qëndrojnë në vend. Ne duam që bukuritë mahnitëse natyrore të Shqipërisë të mbeten për brezat e ardhshëm. Ne duam të kemi një punë të sigurt. Gjatë mbylljes nga Kovidi, kuptuam se sa shumë e vlerësojmë ‘jetën tonë normale’ dhe donim ta kthenim sërish atë. Por, që të gjitha këto gjëra të mbeten të njëjta, ato do të duhet të ndryshojnë.

Ne duam që bukuritë natyrore të Shqipërisë të mbeten të njëjta. Prandaj, po punojmë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për çështjet e ndotjeve në luginën e Vjosës dhe qarkun e Vlorës. Do të fillojmë me pastrimin e këtyre zonave, por më e rëndësishmja, do të punojmë për të shmangur që ndotjet e mëtejshme të arrijnë në lumë dhe në det. Por do të na duhet ndihma juaj. Nëse duam që Vjosa dhe Vlora (dhe pjesa tjetër e vendit) të mbeten për brezat e ardhshëm, të gjithë duhet të ndryshojmë dhe të jemi më të përgjegjshëm se sa plehra krijojmë dhe si sillemi me to.

Dua ta mbyll këtë shënim duke ndarë një sekret të vogël: nuk më pëlqejnë shumë konferencat. Ndjej se harxhohet shumë kohë duke folur dhe shpesh nuk ka rezultate të qarta apo hapa vijues. Megjithatë, më pëlqeu një konferencë e fundit mbi financimin e gjelbër (6), të cilën do ta përkufizoja si investim me përgjegjësi, duke u fokusuar jo vetëm në fitimin e parave, por edhe në krijimin e hapësirës për natyrën dhe shmangien e ndikimit negativ në mjedis (jam i sigurt se ka një përkufizim më të mirë diku). Ajo që më pëlqeu është se ekzistonte një mirëkuptim i përbashkët midis institucioneve financiare, autoriteteve dhe partnerëve të zhvillimit që financimi i gjelbër dhe investimi i gjelbër nuk mund të mbeten në vend. Financimi nuk mund të shkëputet nga qëndrueshmëria. Qëndrueshmëria duhet të jetë në thelb të vendimeve për investime. Për mua kjo ishte gjallëruese, sepse disa vite më parë financimi i gjelbër shihej si një ‘gjë e lezetshme për të bërë’, por jo vërtet serioze. Njohja e tij si një objektiv thelbësor do të thotë që shërbimet financiare duhet të evoluojnë dhe ne të gjithë duhet të ndryshojmë mënyrën se si i qasemi atyre në mënyrë që investimet të jenë të gjelbra dhe të mbështesin rritjen që është e qëndrueshme. Nëse duam që gjërat të mbeten të njëjta, gjithçka do duhet të ndryshojë.

(Autori është menaxher i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri)

_______________

1. Nuk duket se ka një mallkim të tillë në Kinë, por ekziston një thënie se “është më mirë të jesh qen në kohë paqeje sesa njeri në një periudhë kaotike”.

2. Ky informacion vjen nga një artikull i titulluar “A hunger for certainty” nga Dr. David Rock në Revistën Psychology Today.

3. Kjo shifër i referohet një përllogaritjeje të të ardhurave të industrisë së Shërbimeve Psikike, e cila përfshin “një gamë të gjerë shërbimesh metafizike, si leximin e dorës, astrologjinë, leximin e aurës, kartomancinë dhe ndërmjetësimin”. Të ardhurat vjetore për këtë industri u rritën me 2.6% në vitin 2021, sipas firmës konsulente ‘Ibis World’.

4. Historia vjen nga podkasti “Bowie, jazz and the unplayable piano” nga Tim Harford, pjesë e një serie të shumërekomanduar të quajtur “Përralla paralajmëruese”.

5. Ky është një citim i Don Giulio Fabrizio Tomasi, Princi i Lampedusës në librin Leopardi. Ai flet për nevojën e përshtatjes në monarki. Një kontekst shumë i ndryshëm, por prapë një citim bindës.

6. Konferenca titullohej “Mundësitë e gjelbra për sektorin financiar në Shqipëri”, organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Shqipërisë me mbështetjen e Sekretariatit Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike SECO dhe disa ide të ekipit të Bankës Botërore.