Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka thënë se është trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të kirurgut Dr.Ali Tolaj.

Gjini përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Tolaj që nga fillimi i pandemisë ishte në krye të detyrës e në shërbim të pacientëve deri në ditën kur rezultoi pozitiv me COVID-19.


Ai ju ka shprehu ngushëllime familjarëve, miqve e kolegëve të doktorit Tolaj.

Postimi i plotë:Të nderuar qytetarë, Jemi thellësisht të trishtuar me lajmin për ndarjen nga jeta të kirurgut të palodhur Dr. Ali Tolaj. Një mjek i përkushtuar që na shërbeu çdo ditë të jetës së tij. Që nga fillimi i pandemisë, ai ishte në krye të detyrës në shërbim të pacientëve deri në ditën kur rezultoi pozitiv me COVID-19. Përkundër përpjekjeve të jashtëzakonshme të stafit shëndetësor për kolegun e tyre, fatkeqësisht Dr. Tolaj humbi betejën kundër virusit. Shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen Tolaj, miqtë dhe kolegët e të ndjerit. Një humbje e madhe për sistemin shëndetësor. Lusim të gjithë qytetarët që të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar të gjitha masat mbrojtëse kundër përhapjes së virusit. Nderim i përjetshëm për Dr. Ali Tolajn! /Telegrafi/