Gjilani nderon sakrificën e dëshmorëve të kombit

GZyrtarët e Komunës së Gjilanit, bashkë me Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, invalidë, veteranë dhe ushtarakë të UÇK-së, përfaqësues të subjekteve politike dhe qytetarë, përkujtuan sot përvjetorin e ribashkimit të dëshmorëve të kombit te Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, theksoi se dëshmorët e kombit, me gjakun dhe jetën e tyre, kanë shkruar kapitullin më të lavdishëm të historisë së vendit.
“Ribashkimi i tyre në këtë vend të shenjtë është simbol i sakrificës dhe përjetësisë së veprës së tyre. Ata nuk janë thjesht kujtim, por ndërgjegjja jonë kolektive, busulla që na udhëheq drejt lirisë, barazisë dhe bashkimit kombëtar”, tha Morina Bunjaku.
Ajo shtoi se përkujtimi i dëshmorëve forcon vendosmërinë për të ndërtuar një të ardhme të denjë për gjakun e derdhur, duke kujtuar se liria nuk është dhuratë, por amanet. Nënkryetarja u shpreh mirënjohje për familjet e dëshmorëve, bashkëluftëtarët dhe të gjithë ata që kontribuan në luftën për liri.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, kujtoi se para 26 vjetësh u mor vendimi që dëshmorët e kombit, të rënë në të gjitha luftërat për çlirim dhe bashkim kombëtar, të vendosen në Kodrën e Dëshmorëve, duke theksuar se kujtimi i tyre është ndërgjegjja më sublime për brezat.
Po ashtu, Izmi Zeka nga PDK-ja vlerësoi këtë ditë si historike, duke theksuar rëndësinë e përvjetorit të ribashkimit të dëshmorëve në Kodrën e Dëshmorëve.



















































