Një i ri ka qëlluar për vdekje gjashtë anëtarët e familjes së tij – përfshirë prindërit. E gjithë ngjarja e tmerrshme ka ndodhur në qytezën gjermane Rot am See, ka njoftuar policia gjermane gjatë një konference për media, raporton BBC.

I dyshuari 26-vjeç, identiteti dhe nacionaliteti i të cilit nuk është zbuluar, i kishte telefonuar shërbimeve emergjente gjatë pauzës së drekës, të cilëve u tha se ka qëlluar me armë disa persona në një restorant, transmeton Telegrafi.


Sulmuesi që kishte licencë për armë, është arrestuar nga policia me të mbërritur në vendin e ngjarjes. Ndërkaq trupat e tre burrave dhe tri femrave, janë gjetur brenda restorantit ku ndodhën të shtënat.

1 236

Viktimat ishin të moshës nga 36 deri më 69 vjet, ka bërë të ditur policia gjermane në Baden-Wurttemberg. Ndërkaq dy të afërm të kësaj familje janë lënduar, ku njëri prej tyre është në gjendje kritike.

Në anën tjetër policia ka njoftuar se i dyshuari kishte kërcënuar edhe dy adoleshentë – gjithashtu anëtarë të familjes, por të rinjtë kanë shpëtuar pa ndonjë lëndim.

3 9

Të shtënat besohet se kanë ndodhur pas një mosmarrëveshje në familje. E policia janë duke u munduar të përcaktojnë motivin e saktë të shtënave. Deri më tani nuk ka dëshmi se dikush tjetër mund të ketë qenë i përshirë në të shtënat që tronditën Gjermaninë.

Kujtojmë që të shtënat kanë ndodhur rreth orës 12:45 sipas kohë lokale, brenda një ndërtese në Bahnhofstrasse në të cilin gjendej edhe restoranti Kaiser.

Tërë zona ku kanë ndodhur vrasjet është mbyllur nga ekipet e forenzikës që janë duke punuar në zbardhjen e rastit.

Rot am See është një qytezë me vetëm 5 mijë banorë në Schwabisch në verilindje të Shtutgardit, ndërkaq mediat lokale raportojnë se i dyshuari është rreth të 30-ve. /Telegrafi/