GJËJA MË E MADHE QË NJERIU KA BËRË NDONJËHERË

Nga: Woody Guthrie Përktheu: Agron Shala
Jam thjesht një udhëtar vetmitar, endacaku i madh historik
U bëra goxha i dijshëm në histori
E ndërtova Shkëmbin e Epokave, kjo ndodhi në Vitin Një
Dhe kjo pra ishte gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
Kam punuar në Kopshtin e Edenit, kjo ndodhi në vitin e dytë
U bashkova me sindikatën e mbledhësve të mollëve, gjithmonë i përmbusha detyrimet
Jam njeriu që nënshkroi kontratën për lindjen e diellit që lind
Dhe kjo pra ishte gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
Isha mbikëqyrës në piramida, edhe në Kullën e Babelit
Hapa oqeanin për të lejuar kalimin e fëmijëve emigrantë
Luftova në një milion beteja dhe asnjërën nuk e humba
Dhe kjo pra ishte gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
E munda romakun trim, e munda turkun trim
Për vetëm tridhjetë minuta e munda ushtrinë e Neronit
I luftova liderët më të mëdhenj dhe të gjithë i munda
Dhe kjo pra ishte gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
I ndalova romakët e vjetër të Cezarit dhe e ndalova Kublai Kanin
Për vetëm gjysmë ore punë i munda trupat e Faraonit
E përmbysa Kajzer Uilhelmin e vjetër, pastaj dëbova gjermanët gjakatarë
Dhe kjo pra ishte gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
Isha në Revolucion kur e çliruam vendin
Unë dhe disa indianë që hodhëm çajin në portin e Bostonit
Fituam në betejën e Ueli-Forxhit dhe në betejën e Bull-Ranit
Dhe kjo pra ishte gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
Pastaj, unë me disa të tjerë fituam luftën kundër skllavërisë
Dhe secili skllav nga deti në det u çlirua nga unë
U shkurorëzova nga Zonja Skllavëri dhe u martova me Zonjën Liri
Dhe kjo pra ishte gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
Dhe pastaj u bëra bujk në fushat e mëdha të Miduestit
Pluhuri e goditi për njëqind vjet, por shiu kurrë nuk ra
Epo, unë dhe një milion të tjerë shpejt u larguam për punë
Dhe kjo pra ishte gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
U ngjita në kanionët shkëmborë ku rrjedh lumi Kolumbia,
Pashë salmonët të kërcejnë nëpër rrëke dhe ujëvara
Diga e madhe Kuli në shtetin e Uashingtonit
Është pra gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
Është një ndërtesë në Nju-Jork të cilën e quan Empajër-Stejt
Udhëtova ilegalisht me tren mallrash deri në San-Francisko për të ecur mbi Golden-Gejt
Kam parë çdo film që ka shfaqur Holivudi
Por Kuli është gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
Tri herë më e madhe se Bolderi apo piramida më e lartë
E bën Kullën e Babelit të duket si lodër për fëmijë;
Nga fillimi e deri në fund
Kuli është gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
Ishte një burrë mëtanë oqeanit, besoj se e njihnit mirë
Emri i tij ishte Adolf Hitler, shpirti i tij u mallkoftë në ferr
I mundëm pancerët e tij dhe e detyruam të tërhiqej
Dhe kjo pra ishte gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
Jetoj me gruan time të lirisë në këtë vend të madh që ndërtuam
Më duhen dyzet e tetë shtete për të shtrirë batanijen time
Fëmijët tanë numërojnë miliona, ata punojnë nga lindja deri në perëndim të diellit
Dhe kjo pra është gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
Ndërtova miniera, uzina e fabrika për të punuar për Dajën Sem
E shndërrova plugun në mjet për të ushqyer ushtarët e mi në tokat tuaja
Kjo puna naziste është e vështirë, për të gjithë ne ka nevojë
Sepse kjo është pra gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
Ka punëtorë magazinash dhe shoferë kamionësh, si dhe tipa që rropaten
Tipa që drejtojnë uzinën time të çelikut, furrën dhe furrnaltën
Do t’i ndalojmë gjarpërinjtë e Boshtit dhe hajdutët e Japonisë së vjetër
Dhe kjo është pra gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
Më mirë po pushoj së foluri, se t’i thashë të gjitha që di
Por, të lutem mik, mbaje mend kudo që shkon
Njerëzit po ndërtojnë një botë paqësore dhe kur puna të përfundojë
Kjo do të jetë pra gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
Më mirë po pushoj së foluri, se t’i thashë të gjitha që di
Por të lutem mik, mbaje mend kudo që shkon
Jam më i vjetër se pleqtë e tu dhe më i ri se të rinjtë
Dhe jam pra gjëja më e madhe që njeriu ka bërë ndonjëherë
/Telegrafi/


















































