Në Galerinë e Arteve të Gjakovës u hap ekspozita “Mbrojtja dhe parandalimi i dhunës me bazë gjinore: Njih, Reago, Mbroj!”, e organizuar nga Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim, në kuadër të fushatës 16 Ditë të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave.

Në ekspozitë, nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme të Gjakovës prezantuan punimet e tyre artistike, duke transmetuar mesazhe sensibilizuese për rëndësinë e parandalimit të dhunës gjinore.


Udhëheqësi i ZKKK-së, Armend Behluli, gjatë hapjes theksoi: “Dhuna nuk është çështje private, por shoqërore; nuk është fat, por padrejtësi; nuk është e pashmangshme, por e luftueshme”.

Ekspozita mblodhi nxënës, mësues, aktivistë, OJQ dhe prindër, duke krijuar një hapësirë reflektimi dhe bashkëpunimi për një komunitet më të sigurt dhe të ndërgjegjshëm.

Ajo mbetet e hapur për qytetarët që duan të kontribuojnë në kauzën për mbrojtje, reagim dhe solidaritet. /Telegrafi/