Gëzuar 2011-a!

Viti 2010 nisi me punët që kishin mbetur pa përfunduar pas zgjedhjeve lokale në nëntorin e vitit paraprak. Ishin disa komuna që prisnin të mbanin rivotim për shkak të parregullsive, kështu që procesi zgjedhor lokal mori fund nga mesi i muajit mars.
Dorëheqja e Presidentit për shkak të shkeljes së Kushtetutës dhe tërheqja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës, e çoi vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Viti 2010, ashtu si nisi, përfundoi me zgjedhje, kësaj radhe parlamentare. Ato ende nuk kanë përfunduar, pasi më 9 janar 2011, zgjedhjet do të përsëritën në pesë komuna për shkak të parregullsive të shënuara më 12 dhjetor.
Dita më e rëndësishme e këtij viti për Kosovën ishte 22 korriku 2010, kur presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Hisashi Ovada, tha se Gjykata konkludon se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.
Telegrafi.com ju uron Vitin e Ri 2011, më pak zgjedhje, e më shumë punë, duke shpresuar që ky vit të jetë sa më i suksesshëm për të gjithë shqiptarët. Gëzuar!

















































