Gëzim dhe vrapim në natyrë – mbi 300 fëmijë garuan në “Fun Run Kids” në Gërmi

Mbi 300 fëmijë morën në garën “Fun Run Kids”, organizuar si pjesë e garave nga Prishtina Trails në bashkëpunim me LET Center dhe W Germia Parkrun, me përkrahje nga Raiffeisen Bank Kosova.
Gara u mbajt në Parkun e Gërmisë dhe përfshiu dy distanca – 1 km dhe 2 km – të përshtatura sipas grupmoshave, duke sjellë një atmosferë festive, sportive dhe familjare në zemër të
natyrës.
E shoqëruar nga aktivitete për fëmijë, argëtim dhe shumë buzëqeshje, ngjarja u zhvillua nën moton “Gërmia pa kerre!”, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe hapësirave publike.
Në ngjarje ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili vlerësoi pjesëmarrjen masive dhe uroi që Gërmia të vazhdojë të mbetet një hapësirë e gjallë për komunitetin.
Një nga elementet më të veçantë të garës ishin medaljet unike të mbicikluara, të prodhuara nga kapakë plastikë – rreth 30 për secilën medalje – në laboratorin DYVO Lab. Ky projekt kreativ është rezultat i një bashkëpunimi me LET Center, ku fëmijët dhe qytetarët kontribuojnë duke mbledhur kapakë të shisheve plastike gjatë gjithë vitit.
Edicioni special për fëmijë nuk ishte vetëm një kujtim i bukur nga gara, por edhe një mesazh i fuqishëm për rëndësinë e kujdesit ndaj mjedisit dhe përfshirjes komunitare që në moshë të hershme.
“Ky është vetëm fillimi – interesimi i madh na motivon të organizojmë edhe më shumë gara për fëmijë në të ardhmen,” tha njëri nga organizatorët nga ekipi X-Trailers, duke konfirmuar angazhimin e tyre për të ndërtuar një kulturë të lëvizjes në natyrë që nga mosha e hershme.
“Fun Run Kids” u zhvillua si pjesë e javës së aktiviteteve të Prishtina Trails 2025, një ngjarje e certifikuar ndërkombëtarisht (UTMB Index dhe ITRA), që kulmon më 4 maj me tre gara: Classic 10km, Edge 23 km dhe Ultra 47 km.
Por siç tregoi kjo fundjavë, është gjenerata e re që po i jep energji dhe kuptim të ri këtij komuniteti vrapues në rritje.
Gara “Fun Run Kids” u përkrah nga partnerët e besuar të Prishtina Trails: Raiffeisen Bank Kosova, LET Center, Gusto Cafe, Rugove, Frostea – duke e bërë këtë ditë të paharrueshme për qindra fëmijë dhe familje në zemër të Gërmisë.











































