LAJMI I FUNDIT:

Gërvalla për Newsweek: Kosova po përsërit vazhdimisht se BE-ja nuk mund të jetë kurrë e tërë pa Ballkanin Perëndimor

Gërvalla për Newsweek:  Kosova po përsërit vazhdimisht se BE-ja nuk mund të jetë kurrë e tërë pa Ballkanin Perëndimor

Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla në një intervistë për Newsweek tha se Prishtina “me gjithë zemër” mbështet kërkesën e Kievit që anëtarësimi i tyre në BE të përshpejtohet, ndërsa po futemi në muajin e dytë të luftimeve të ashpra midis pushtuesve rusë dhe mbrojtësve ukrainas.

Gërvalla nuk mbështeti paralajmërimin e kryeministrit holandez Mark Rutte se anëtarësimi i shpejtë i Ukrainës në Bashkimin Evropian do të krijonte frustrim dhe paqëndrueshmëri në Ballkanin Perëndimor.

Rutte javën e kaluar paralajmëroi se një përshpejtim i procesit për Ukrainën mund të minojë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. “Aty ka vende që duan gjithashtu [aderimin],” tha Rutte.


“Aderimi në BE është proces. Nuk ka procedurë të shpejtë të aderimit. Nëse do ta bënim këtë, ne do e transformonim procesin e aderimit në proces politik dhe kjo gjë nuk duhet të ndodhë.”

Por Gërvalla tha se Kosova – e njohur nga Brukseli si vend kandidat potencial për anëtarësim në BE – beson se blloku duhet të miratojë një proces të ri të shpejtë dhe ta shtrijë atë jo vetëm në Ukrainë, por në të gjitha vendet e Ballkanit që janë të përkushtuar ndaj integrimit evropian.

“Situata aktuale është shumë komplekse dhe është e rrezikshme,” tha ajo.

“Kjo gjë nuk vlen vetëm për situatën në Evropën Lindore dhe Ukrainë, por edhe për situatën në përkeqësim e sipër në Ballkan”.

“Prandaj, ne po avokojmë për përshpejtim jo vetëm për Ukrainën, por edhe Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit, të cilët janë vërtet të përkushtuar ndaj parimeve të BE-së.

“Nuk e bëjmë këtë vetëm për interesin tonë personal, por edhe për interesin e vetë BE-së: ka të bëjë me ruajtjen e paqes brenda gjeografisë së BE-së.”

Gërvalla-Schwarz theksoi se Kosova “po përsërit vazhdimisht se BE-ja nuk mund të jetë kurrë e tërë pa Ballkanin Perëndimor” dhe “e bindur se BE-ja duhet të jetë e hapur për të gjitha vendet evropiane që janë vërtet të përkushtuara ndaj vlerave të BE-së si demokracia dhe sundimi i ligjit”.

“Për ne, BE-ja nuk është para së gjithash një bllok ekonomik, por është përgjigja më e mirë evropiane për sigurimin e paqes. Dhe Ukraina sigurisht që është pjesë e Evropës dhe meriton të jetë anëtare e ardhshme e Bashkimit Evropian,” tha ajo.

‘Paralajmërim i hershëm’ për BE-në dhe NATO-n

Gërvalla deklaroi për Newsweek në fillim të këtij muaji se BE-ja dhe aleatët e saj të NATO-s, duke përfshirë SHBA-në, duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje tensioneve politike në Ballkanin Perëndimor.

Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe të tjerët kanë paralajmëruar se Rusia mund të hapë një front të dytë kundër kundërshtarëve të saj perëndimorë në rajon, ndoshta të  ndihmuar nga partnerët e saj serbë.

“Në rastin e Kosovës, sigurisht që është me interes të madh për BE-në të sigurojë paqen përpara se të fillojë konflikti,” tha Gërvalla.

“Me Ukrainën, BE-ja bëri gabime dhe nuk ndërmori hapat e duhur para se të shpërthente lufta, në mënyrë që të mbështeste mjaftueshëm Ukrainën në parandalimin e saj.

”Zbutja e madhe inkurajoi agresorin e mundshëm të bëhej agresor i vërtetë. Ky gabim nuk duhet bërë dy herë. Siç bënë Ukraina, Polonia dhe partnerët tanë në rajonin Baltik, edhe ne jemi të angazhuar në paralajmërimin e hershëm.”

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës i kërkoi BE-së dhe qeverive kombëtare “të rikalibrohen për të shmangur konfliktin e ardhshëm”.

“Ata duhet të bëjnë diçka që nuk u pëlqen ta bëjnë: së pari ata duhet të dëgjojnë dhe pastaj të flasin. Ata duhet të koordinohen, me Ukrainën dhe me ne,” tha ajo.

“Bota nuk është ashtu siç po e pikturojnë për vete disa burokratë në Bruksel ose disa diplomatë, bota është një vend shumë më ndryshe dhe më i rrezikshëm. Është dashur që të gjithë ta dinin këtë tashmë, shpresojmë që të parandalohen konfliktet e ardhshme.”

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe që atëherë ka ngecur në një konfrontim të tensionuar diplomatik me fqinjin e saj verior. Ndonjëherë, kjo gjë madje ka qenë kërcënim i shpërthimit të një konflikti të ri.

Serbia po tenton gjithashtu të anëtarësohet ne BE, dhe së bashku me Malin e Zi, janë shtetet më të avancuara në procesin e aderimit nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Por lidhjet tradicionale të Beogradit me Moskën i kanë bërë disa të shqetësohen. Vendimi i presidentit Aleksandar Vuçiq për të mos iu bashkuar ofensivës së sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë vetëm sa ka thelluar shqetësimet se ku qëndron besnikëria e Beogradit.

Udhëheqësit e Kosovës kanë akuzuar vazhdimisht Serbinë për minimin e qëllimshëm të unitetit perëndimor. Beogradi, thonë ata, mund të bëhet ende një ”kalë i Trojës” rus brenda BE-së.

Ministria e Jashtme e Serbisë ka hedhur poshtë vazhdimisht shqetësime të tilla.

Zëvendësministri i Jashtëm, Nemanja Staroviq, tha për Newsweek në fillim të këtij muaji se një pretendim i tillë është një “shtrembërim i qëllimshëm që synon arritjen e disa qëllimeve politike afatshkurtra”.

Beogradi, siç tha Staroviq, mbështet plotësisht ofertën e Ukrainës për t’iu bashkuar BE-së. “Ngjarjet e fundit tragjike në Ukrainë vetëm sa vënë në pah nevojën që zgjerimi i BE-së në rajonin tonë të fitojë momentum”, shpjegoi ai.

Megjithatë, Gërvalla u bëri thirrje zyrtarëve në Bruksel që të jenë vigjilentë dhe skeptikë: “Nga ajo që mund të shohim, të lexojmë dhe çfarë marrim në raportet nga kontaktet tona në Serbi dhe nga vëzhgimi ynë i afërt i Serbisë, ne vazhdimisht paralajmërojmë burokratët në Brukselin e largët dhe diplomatët në kryeqytetet e BE-së dhe NATO-n që ne shumë gjëra i dimë shumë më mirë sepse jemi shumë më afër.

“Ajo që për ta mund të jetë vetëm një problem diplomatik, për ne mund të jetë një kërcënim ekzistencial ndaj qytetarëve tanë”.

Ministrja e Jashtme nuk u pajtua me paralajmërimin e Ruttes për zhgënjim dhe paqëndrueshmëri nëse anëtarësimi i Ukrainës në BE do të përshpejtohej.

“Ne jo vetëm që nuk do të zhgënjeheshim, por do të ishim shumë të lumtur nëse partnerët e BE-së do të merreshin shpejt me këtë sfidë historike”, tha ajo.

“BE-ja duhet ta njohë realitetin e ri shumë më shpejt dhe më thellë në mënyrë që të stabilizojë situatën dhe të vendosë një perspektivë të qartë për rendin e ri evropian të paqes.

“Evropa duhet të veprojë në mënyrë që të sigurojë jo vetëm stabilitet, por edhe të garantojë sovranitetin, demokracinë, sundimin e ligjit, integritetin territorial dhe kufijtë si parime bazë në Evropë dhe më gjerë”.

Rruga e përshpejtuar drejt NATO-s

Kosova tashmë ka kërkuar që aplikimi i saj për anëtarësim në NATO të përshpejtohet dhe që aleanca të vendosë një prani të përhershme ushtarake në vend. Serbia ka paralajmëruar se një veprim i tillë mund të nxisë konflikt të mëtejshëm rajonal.

Pesë vende anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën: Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qiproja. Derisa ta bëjnë, Kosova nuk mund t’i bashkohet bllokut. Të gjitha vendet përveç Qipros janë anëtare të NATO-s, gjë që do t’i bllokojë edhe ambiciet e Prishtinës për t’iu bashkuar aleancës.

“Jemi duke rritur përpjekjet tona për ta përshpejtuar anëtarësimin tonë në BE dhe NATO, por në të njëjtën kohë për t’i bindur pesë partnerët e mbetur të BE-së që të ndjekin shumicën dërrmuese brenda BE-së dhe t’i japin fund shpejt pasigurisë në Evropën Juglindore duke njohur kufijtë e vendit tonë”, shtoi tutje Gërvalla.

“Kjo do të dërgonte një sinjal të fortë jo vetëm për Vuçiqin, por edhe për [presidentin rus Vladimir] Putinin se vënia në pikëpyetje, apo edhe shkelja, e kufijve dhe sovranitetit është thjesht një gjë e ndaluar në politikë”, shtoi Gërvalla-Schwarz, duke e përshkruar presidentin rus si një “kriminel lufte”.

“Për sa kohë që Vuçiqi dhe Putini mund të llogarisin në faktin se BE-ja mbetet e ndarë dhe nuk e mbyll atë kapitull, çdo kufi i kontestuar në Evropë do të vazhdojë të përbëjë rrezik jo vetëm të provokimit, por edhe të veprimeve të dhunshme dhe madje edhe të luftës.

“Njerëzit tanë janë me të vërtetë evropianë dhe besojmë sinqerisht se BE-ja është përgjigja historike për t’i dhënë fund luftërave në kontinentin tonë, siç e ka dëshmuar me Gjermaninë dhe Francën dhe shumë shembuj të tjerë historikë”, theksoi ajo.

Paralelet mes Ukrainës dhe Kosovën

Mbrojtja e suksesshme e Ukrainës ka frymëzuar kombet në mbarë botën. Presidenti Volodymyr Zelensky është bërë hero kombëtar në mesin e ukrainasve dhe simbol i rezistencës për të huajt.

Gërvalla tha se Kosova sheh paralele me historinë dhe situatën aktuale të Ukrainës.

“Ashtu si identiteti ukrainas është nxitur nga një luftë brutale kundër një fqinji paqësor dhe demokratik, rasti i Kosovës është i mbyllur për çfarëdo ndryshimi”, tha ajo.

“Por, sa për ta thënë atë që është e qartë, është e nevojshme që të gjithë t’u japin sinjal renegatëve se nuk ka asnjë shans për ta hapur përsëri kutinë e Pandorës.

“Situata e Ukrainës, e cila është sulmuar brutalisht nga fqinji i saj agresiv në veri, është jashtëzakonisht e ngjashme me situatën e Kosovës, e cila gjithashtu u sulmua nga fqinji i saj në veri”, tha Gërvalla, duke iu referuar luftës së Kosovës të vitit 1998 ndërmjet separatistëve të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë (që prej ndarjes në Serbi dhe Mal të Zi).

“Ndërsa ne kemi mbrojtur vendin tonë dhe popullin tonë me të gjitha mjetet në dispozicion në vitet 1990, sot ne admirojmë guximin dhe civilizimin e popullit ukrainas dhe udhëheqjes ukrainase.

“Kështu që nuk ka zhgënjim, por vetëm respekt dhe admirim. Shpresojmë që Evropa ta kuptojë se çfarë është e nevojshme të bëhet tani, si për Ukrainën ashtu edhe për Evropën Juglindore”, deklaroi Gërvalla njofton Telegrafi.