LAJMI I FUNDIT:

Gërvalla: Gjermania shembull që edhe vendet e tjera të njohin patentë shoferët e Kosovës

Gërvalla: Gjermania shembull që edhe vendet e tjera të njohin patentë shoferët e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka përshëndetur vendimin e Gjermanisë për të njohur patentë shoferët e Kosovës.

Gërvalla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Gjermania do të jetë shembull që edhe vende të tjera të njohin patentë shoferët e Kosovës.


“Falënderoj nga zemra TË GJITHË ata, të cilët me punën e tyre kontribuuan sado pak në njohjen e lejeve/patentave nga Kosova në Gjermani”, ka shkruar Gërvalla.

Postimi i plotë i Gërvallës:

“Me votën e Këshillit Federal gjerman, sot u përmbyll procesi i gjatë dhe i vështirë i njohjes së lejeve të drejtimit/patentave nga Kosova. Mijëra e mijëra qytetarë të Kosovës në Gjermani kanë qenë për vite me radhë të privuar nga e drejta e tyre për të drejtuar automjete me lejen/patentën e tyre të fituar në Kosovë.

Ky proces do të duhej të kishte përfunduar shumë më herët. Mijëra Euro kanë paguar familjet shqiptare në Gjermani për të bërë patentën gjermane, e cila për një shumicë të konsiderueshme të tyre ndërlidhej drejtpërdrejtë me mundësinë për të punuar ose jo.

Megjithatë sot është një ditë e mirë, së cilës mund t’i gëzohemi të gjithë bashkë.

Jam e bindur që shembulli me Gjermaninë të jetë një ndihmesë e madhe edhe gjatë bisedimeve dhe negociatave që jemi duke zhvilluar me shtete të tjera rreth njohjes së lejeve/patentave tona.

Jam e ndërgjegjshme që qytetarët tanë jashtë vendit ballafaqohen edhe me plot sfida të tjera, të cilat kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë. Por në anën tjetër jam e bindur që me punë e përkushtim në të ardhmen do të mund t’i zgjidhim një e nga një edhe një pjesë të madhe të tyre.

Gjatë ditëve në vijim do të informoheni rreth afateve ligjore si dhe të gjitha detajeve të rëndësishme lidhur me përdorimin e lejes/patentës suaj në Gjermani.

Falënderoj nga zemra TË GJITHË ata, të cilët me punën e tyre kontribuan sado pak në njohjen e lejeve/patentave nga Kosova në Gjermani.

Shfrytëzoj rastin të falënderoj veçanërisht ish-Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, z. Heiko Maas për mbajtjen e premtimit të dhënë vitin e kaluar në Prishtinë që çështjen e këtyre lejeve/patentave do ta përcillte në Këshillin Federal para se të përfundonte mandatin e tij”, ka shkruar Gërvalla. /Telegrafi/