Gazetarët kosovarë njëzëri: Sot është nata jonë, Kosova kualifikohet në finale të ‘play-off’-it

Atmosfera në Bratislavë ka marrë ngjyrat e Kosovës. Që prej mbrëmjes së djeshme, rrugët dhe lokalet në sheshet kryesore të qytetit janë mbushur me tifozë “Dardanë”, duke krijuar një klimë entuziazmi dhe besimi të madh për kombëtaren.
Gazetarët kosovarë Lorik Gashi dhe Lorik Jashanica, që ndodhen në Sllovaki kanë përcjellë nga afër këtë atmosferë elektrizuese, duke theksuar se mbështetja për ekipin kombëtar është në nivele të jashtëzakonshme.
Sipas tyre, kjo energji pozitive pritet të reflektohet edhe në fushë, në një ndeshje vendimtare për fatin e Kosovës.
“Që nga dje është vërejtur një mbështetje e madhe për kombëtaren tonë. Kemi parë një atmosferë krejt ndryshe, sidomos në orët e mbrëmjes nëpër lokalet në sheshet kryesore të Bratislavës. Andaj sot besoj se do të kurorëzojmë një fitore shumë, shumë të madhe të kombëtares tonë”, është shprehur gazetari Gashi.
Në të njëjtën linjë optimizmi është edhe gazetari Lorik Jashanica, i cili thekson se tashmë është bërë traditë që tifozët kosovarë të dominojnë qytetet evropiane sa herë që luan Kombëtarja.
“Atmosfera, si çdo kund ku luan kombëtarja e Kosovës, tashmë është bërë rutinë që t’i pushtojmë qytetet e Evropës. Besoj dhe shpresoj që sot duhet të jetë dita e kombëtares. Jemi shumë afër. E kemi pasur një mundësi të kualifikohemi në Kampionatin Evropian, ndërsa tani jemi shumë afër të kualifikohemi në Kampionatin Botëror”, ka deklaruar Jashanica.
Ekipi i Telegrafit ndodhet në Bratislavë, me gazetarët Lavdim Pireva dhe Romak Zeqiri, si dhe kameramanin Korab Basha.
Udhëtimi i ekipit është mundësuar nga 99esim, Globi M.I, DFK Group dhe Lasko./Telegrafi/






















































