Nga: Matt Glazebrook / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Paul Robeson ishte superyll i skenës dhe ekranit, një futbollist i talentuar dhe krijues i hiteve muzikore. Pastaj, mes "zjarrmisë antikomuniste" në ShBA gjatë Luftës së Ftohtë, erdhi një rënie dramatike nga lavdia.


Balada për amerikanët [Ballad for Americans] e Paul Robesonit ishte hit i papritur i muzikës pop. Një kantatë patriotike popullore që zgjaste 10 minuta, ofronte një version gjithëpërfshirës të historisë amerikane, nga formimi i saj i zjarrtë (Më '76 qielli ishte i kuq) deri tek e tashmja shumetnike, siç artikulohej nga një rrëfyes që zbulon veten të jetë vetë Amerika.

Megjithatë, kur baritoni i njohur interpretoi për herë të parë këngën në një transmetim radiofonik kombëtar në CBS në vitin 1939, u bë menjëherë sensacion. Audienca në studio duartrokiti për 20 minuta. Letrat dhe telefonatat përmbytën stacionin dhe emisioni u përsërit gjatë gjithë vitit pasues. Tashmë një yll i skenës, ekranit dhe fushës së futbollit amerikan, transmetimi dhe publikimi i mëvonshëm i Baladës për amerikanët përforcuan statusin e Robesonit si personi më i famshëm me ngjyrë në Amerikë.

Vetëm një dekadë më vonë, ai ishte etiketuar jo vetëm si "antiamerikan", por edhe si një person në fakt inekzistent - i ndaluar nga televizioni, i fshirë nga tekstet shkollore, me pasaportën e revokuar. Teksa Lufta e Ftohtë merrte hov dhe elita politike e kulturore e ShBA-së përfshihej nga zjarrmia antikomuniste, aktiviteti për të drejtat civile dhe solidariteti socialist i Robesonit e bënë atë objektiv kryesor.

Ai vdiq më 23 janar 1976, 200 vjet pas lindjes së përgjakshme të ShBA-së dhe 50 vjet më parë këtë muaj. Dekadat e tij të fundit u shënuan nga sëmundja dhe izolimi, pasojë e një fushate shtypjeje që ishte pa precedent mes ndalimeve të përhapura në industrinë e argëtimit që karakterizuan “Frikën e kuqe” [Red Scare]

Paul Robesoni lindi më 1898 në Prinston të Nju-Xhersit, më i vogli nga pesë fëmijët. Babai i tij pastor e mbajti familjen pasi nëna e tij vdiq në një zjarr shtëpie pak vite pas lindjes së tij. Të thuash se Robesoni ishte një i ri i jashtëzakonshëm do të ishte nënvlerësim i madh. Ai shkëlqeu në aspektin akademik, në sport dhe në art gjatë gjimnazit në Nju-Xhersi.

Robesoni në vitin 1949(Getty Images)

Ai fitoi një bursë katërvjeçare në Universitetin e Ratgersit nga i cili doli me nderimet më të larta akademike dhe mbajti fjalimin e diplomimit. U nderua me 15 vlerësime [varsity letters], përfshirë në bejsboll, basketboll, shtizë, disk dhe hedhje sfere. Por, në futbollin amerikan ai u bë vërtet një yll, duke u përzgjedhur dy herë në ekipin premtues [All-American], përpara se të luante në mënyrë profesionale - për të financuar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Kolumbia në fillim të viteve ’20 të shekullit XX. Walter Camp, eksperti kryesor i futbollit në ShBA, e quajti Robesonin “mbrojtësin më të madh që ka shkelur ndonjëherë fushën”.

Duke jetuar në Harlem në kulmin e Rilindjes së Harlemit, Robesoni përdori gjithashtu kohën e tij në Kolumbia për të nisur aktrimin, si dhe për të kënduar në klubin e famshëm “Cotton Club”. Karriera e tij juridike përfundoi papritur jo shumë kohë pas diplomimit, kur ai dha dorëheqjen nga një firmë ligjore, në shenjë proteste, pasi një sekretare e bardhë refuzoi që ai t’i diktonte. Në vend të kësaj, u bë interpretues me kohë të plotë, i mbështetur fillimisht financiarisht nga gruaja e tij, Eslanda, drejtoreshë e laboratorit të patologjisë në Spitalin Presbiterian të Nju-Jorkut. Ai luajti në dy drama të Eugene O’Neillit (Të gjithë fëmijët e Zotit kanë flatra dhe Perandori Xhons), incizoi albume të ashtuquajturave shpirtërore të zezakëve [Negro spirituals] dhe hapi mjuziklin e ri të Oscar Hammersteinit dhe Jerome Kernit, Shfaqja lundruese [Show Boat], në vitin 1927, duke kënduar Lumin Plak [Ol' Man River], këngë që u vlerësua shumë nga kritika.

Ai filloi gjithashtu të udhëtonte në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë. Në vitin 1930, e interpretoi Othellon në Teatrin e Savoit të Londrës, duke u bërë aktori i parë me ngjyrë që e bënte këtë në kryeqytetin britanik - që nga Ira Aldridge një shekull më parë. Dhe, pasi kaloi pjesën më të madhe të dekadës së hershme duke interpretuar jashtë vendit, u kthye në ShBA për të luajtur në versionin filmik të Holivudit të Shfaqjes lundruese në vitin 1936. Ngjitja e tij në statusin e një ylli të kategorisë A ishte e plotë. Në vitin 1928, revista New Yorker e kishte cilësuar atë si “premtimi i racës së tij”, “Mbret i Harlemit” dhe “idhull i njerëzve të tij”.

Robesoni në një skenë filmi (1936)(Getty Images)

Deri në vitin 1940, pak pasi interpretoi Baladën për amerikanët për 30 mijë njerëz në Holivud [Hollywood Bowl], revista Collier’s e shpalli atë “Argëtuesin Nr. 1 me ngjyrë të Amerikës”. Sipas biografit të tij, Martin Duberman, Robesoni i dukej “botës së bardhë në përgjithësi [...] një njeri magnetik, i qytetëruar dhe i talentuar që ishte ngjitur mbi rrethanat e tij jo përmes agresivitetit, por përmes talentit”.

Në realitet, gjatë ngritjes së tij drejt famës, Robesoni kaloi shumë kohë duke u edukuar dhe duke u bërë gjithnjë e më i zëshëm për kontekstin më të gjerë të luftës së njerëzve me ngjyrë. Në Evropë, ai dha shfaqje bamirësie për minatorët uellsianë, refugjatët hebrenj dhe luftëtarët republikanë në Luftën Civile Spanjolle. Ai studioi gjuhë afrikane dhe shkrime marksiste, dhe vizitoi Bashkimin Sovjetik. Në ShBA ai refuzoi të interpretonte për audienca të ndara sipas racës, iu bashkua grevave të sindikatave dhe, në fushatën presidenciale të vitit 1948, mbështeti Partinë Progresive të Henry Wallaceit. Megjithatë, të gjitha këto kauza ishin relativisht të padëmshme për Robesonin - derisa e mbajti një fjalim më 20 prill 1949 në Paris.

Kongresi Botëror i Përkrahësve për Paqen ishte një mbledhje me rreth dy mijë shkencëtarë, mësues, aktivistë dhe artistë nga 75 vende, i thirrur për të dënuar garën e armatimit të Luftës së Ftohtë dhe atë që ata e shihnin si agresion të ShBA-ve ndaj Bashkimit Sovjetik.

“Është e paimagjinueshme që zezakët amerikanë të shkojnë në luftë në emër të atyre që na kanë shtypur për breza”, deklaroi Robesoni para të mbledhurve të krahut të majtë, “kundër një vendi [BRSS] i cili brenda një brezi e ka ngritur popullin tonë në dinjitetin e plotë të njerëzimit”.

Rreth gjashtë vjet përpara bojkotit të autobusëve në Montgomeri dhe lindjes së lëvizjes moderne për të drejtat civile, Robesoni sugjeroi një formë rebelimi të njerëzve me ngjyrë që i tejkalonte objektivat asimiluese të NAACP-së (Shoqata Kombëtare për Avancimin e Njerëzve me Ngjyrë) - që ishte organizata dominuese në atë kohë. Reagimi, si nga liberalët kryesorë ashtu edhe nga antikomunistët konservatorë, ishte i menjëhershëm dhe dërrmues.

Disa muaj pas ngjarjes në Paris, Paul Robesoni tentoi dy herë të jepte një koncert për pushuesit në kampet verore socialiste hebraike pranë Pikskillit në Nju-Jork, ashtu siç kishte bërë edhe në verat e mëparshme. Dy herë, mijëra veteranë lokalë të luftës protestuan dhe trazirat shpërthyen: protestuesit sulmuan pjesëmarrësit me gurë, shkopinj dhe grushte, përmbysën makinat dhe plagosën 150 persona, ndërsa policia qëndroi duke parë. Ndërkohë që kjo përpjekje e dhunshme për ta “anuluar” Robesonin u dënua gjerësisht dhe nuk u përsërit më, një version më i fshehtë ndëshkimi filloi menjëherë pas kësaj.

Robesoni gjatë një greve të sindikatave(Getty Images)

Në mars të vitit 1950, NBC e ndaloi të shfaqej në emisionin televiziv të Eleanor Rooseveltit, Sot me zonjën Ruzvelt [Today With Mrs Roosevelt], pas protestave nga organizata Legjioni Amerikan (një organizatë e veteranëve të luftës) dhe të tjerëve. Pastaj, në korrik, Departamenti i Shtetit ia revokoi pasaportën, duke e penguar të performonte jashtë vendit ku ai vazhdonte të ishte jashtëzakonisht i njohur. Në ShBA, karriera e tij ishte de fakto e përfunduar. Shtëpitë diskografike refuzuan të nxirrnin në treg disqet e tij të vjetër ose të incizonin të rinj. Nga një prej dhjetë artistëve më të paguar në ShBA në vitin 1941 dhe duke fituar 100 mijë dollarë nga koncertet deri në vitin 1947, nga viti 1952 ai mezi arrinte të fitonte gjashtë mijë dollarë në vit.

Teksti i Baladës për amerikanët u hoq nga tekstet shkollore dhe poeti Langston Hughes u detyrua të fshinte çdo përmendje të Robesonit nga libri i tij Krijues të famshëm të muzikës zezake [Famous Negro Music Makers], përndryshe rrezikonte ndalimin e tij në bibliotekat shkollore. Emri i tij u fshi në mënyrë retroaktive nga listat e fituesve të çmimeve të NAACP dhe kampionëve të futbollit njësoj. Madje, po të kishe thjesht një disk të Paul Robesonit - siç kishin qindra mijëra amerikanë - mjaftonte që një punonjës shtetëror të merrte një “shënim të zi” gjatë intervistave për besnikëri që zhvilloheshin në vitet ’50 të shekullit XX.

Ylli i bejsbollit, Jackie Robinson, u thirr përpara Komitetit të Dhomës për Aktivitetet Jo-Amerikane (HUAC) për t’u distancuar nga deklaratat e Robesonit në Paris dhe, në mënyrë të tërthortë, për të ndarë publikun me ngjyrë prej tij. Më në fund, në vitin 1956 vetë Robesoni u paraqit përpara HUAC-së. Pa asnjë ndjesë, ai u tha anëtarëve të komitetit:

“Ju jeni jo-amerikanë”.

Në librin e saj Krimet janë të shumta [Many Are the Crimes], historiania e Luftës së Ftohtë, Ellen Schrecker, pohon se “ndoshta asnjë individ tjetër nuk u censurua kaq rëndë” sa Paul Robesoni. Dhe, në disa mënyra, ai paraqiste vërtet një kërcënim unik. Jo si spiun, por si socialist i zëshëm me ngjyrë. Një njeri që e lidhte luftën e afro-amerikanëve për të drejtat civile me kauzën e klasës punëtore në mbarë botën - nga luginat e Uellsit deri në Afrikën Perëndimore, nga Misisipi deri në Moskë. Dhe, nga të gjithë ata që u përjashtuan (nga skenaristët e Holivudit te nëpunësit civilë dhe akademikët), askush nuk ishte kaq i njohur apo dikur kaq i dashur. Siç thotë Schrecker: “Aktori dhe këngëtari më karizmatik me ngjyrë i brezit të tij ishte shndërruar në jo-person”.

Pasaporta iu kthye Robesonit më në fund në vitin 1959 dhe ai u përpoq të niste sërish një turne ndërkombëtare. Por, i lodhur nga vitet e luftës dhe ballafaqimit, përpjekjet e tij u ndaluan nga episode sëmundjeje dhe depresioni. Nga mesi i viteve ’60 të shekullit XX, ai pushoi së dhëni koncerte dhe, pas vdekjes së Eslandas, vitet e mbetura i kaloi nën kujdesin e motrës së tij.

Në vitin 1973, ai iu drejtua një eventi që e nderonte [Salute to Paul Robeson] në Karnegi-Hall të Nju-Jorkut. Ai deklaroi se ishte “po aq i përkushtuar sa gjithmonë ndaj kauzës botërore të njerëzimit për liri, paqe dhe vëllazëri”, ripohonte angazhimin e tij ndaj luftës së afro-amerikanëve për të “arritur çlirim të plotë nga sundimi racist”, dhe nderonte lëvizjet antikolonialiste në mbarë botën. Ai e përfundoi mesazhin e tij me fjalët në vazhdim: "Edhe pse shëndeti i dobët më ka detyruar të tërhiqem, mund të jeni të sigurt se në zemrën time unë vazhdoj të këndoj:

Por, vazhdoj të qesh
Në vend që të qaj,
Duhet të vazhdoj të luftoj
Derisa të vdes,
Dhe Lumi Plak
Vazhdon rrjedhën
"!

/Telegrafi/