Fox News ka kërkuar falje pasi një mysafir e kritikoi aktivisten adoleshente të klimës Greta Thunberg duke e quajtur “një fëmijë i sëmurë mendor”.

Duke u paraqitur në Fox News të hënën, përcjell Telegrafi, komentatori i djathtë Michael Knowles filloi një sulm të jashtëzakonshëm ndaj Thunberg, 16 vjeçe, e cila po bën fushatë në SHBA për të nxitur veprime mbi krizën e klimës.


Një deklaratë e Knowles në Thunberg pasoi një nga Laura Ingraham, një nga prezantueset më të spikatura të Fox News, e cila e krahasoi Thunberg dhe aktivistë të tjerë të rinj të klimës me personazhet në tregimin horror të Stephen King, “Children of the Corn”.

Ndryshe, Thunberg mbajti një fjalim kumbues në samitin e Kombeve të Bashkuara, duke kritikuar liderët botërorë për "tradhtinë" e tyre ndaj të rinjve përmes mungesës së veprimeve për krizën klimatike.

Knowles, një mysafir në “Fox News's The Story”, ishte ftuar të diskutonte fjalimin e Thunberg dhe krizën klimatike.

“Nëse do të ishte në lidhje me shkencën, ajo do të udhëhiqej nga shkencëtarët sesa nga politikanët dhe një fëmijë suedez i sëmurë mendor që po shfrytëzohet nga prindërit e saj dhe nga e majta ndërkombëtare”, ka thënë Knowles.

Por komentatori Christopher Hahn, duke u paraqitur në “The Story” për të ofruar teorikisht një perspektivë liberale, kritikoi menjëherë Knowles.

“Po, dua të them, ju jeni një burrë i rritur dhe jeni duke sulmuar një fëmijë. Turp për ju”, ka thënë Hahn, përcjell Telegrafi.

Një zëdhënës i Fox News më pas i tha Daily Beast: “Komenti i bërë nga Michael Knowles i cili ishte mysafir në The Story sonte ishte i turpshëm. Ne i kërkojmë falje Greta Thunberg dhe shikuesve tanë”.

Gjithashtu Fox News i tha Hollywood Reporter se nuk kishte "plane" për të prenotuar Knowles si mysafir në të ardhmen.

Megjithatë, kanali nuk ka komentuar sulmin e Laura Ingraham ndaj Thunberg. /Telegrafi/