LAJMI I FUNDIT:

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Samiti i Ballkanit Perëndimor në Prishtinë dhe vendimi i ri i Qeverisë për targat – top lajmet e javës

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Samiti i Ballkanit Perëndimor në Prishtinë dhe vendimi i ri i Qeverisë për targat – top lajmet e javës

Prishtina gjatë javës që po lëmë pas ishte nikoqire e dy organizimeve ndërkombëtare, atë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë si dhe të Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga The Economist.

Po gjatë javës që po lëmë pas, saktësisht të premten Qeveria e Kosovës doli me një vendim të ri për çështjen e targave.

Kryeministri Albin Kurti tha se ky vendimi bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve, konkretisht për tri javë ata të cilët nuk e zbatojnë vendimin për konvertimin e targave do të qortohen.


Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë – mesazhet e ditës së parë

Të shtunën dhe të dielën e javës që e lamë pas u mbajt Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e cila ishte iniciativë e presidentes, Vjosa Osmani.

Ky forum ishte organizuar në bashkëpunim me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe mbështetet nga partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani para të pranishmëve në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë tha se historia e Kosovës është histori e secilës grua e cila ka larguar gur nga rruga drejt barazisë.

Ajo përmendi përpjekjet e grave të Kosovës në periudha të ndryshme, të cilat kanë kontribuar në rrugën e lirisë dhe barazisë.

“E ardhmja e Kosovës do të jetë e ardhmja për çdo vajzë dhe grua”, tha ajo.

Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë i është drejtuar me një video-mesazh edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari i shtetit më tej deklaroi se Forumi në Prishtinë i përmbledh dy gjëra që ishin për zemër për ish sekretaren e shtetit, Madeleine Albright: popullin e Kosovës dhe çështjen e fuqizimit të të drejtave të grave, transmeton Telegrafi.

Ai përmes një video-mesazhi po ashtu përmendi luftën në Kosovë, duke cituar ish sekretaren se “ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme”.

“…Lufta në Kosovë ishte një përballje mes vrasjeve barbare dhe forcës së nevojshme, ndërmjet mostolerancës së dhunshme dhe respektimit të të drejtave të njeriut, mes tiranisë dhe demokracisë….”, tha ai, duke cituar ish sekretaren amerikane.

Më tej sekretari Blinken foli edhe për ndërhyrjen e NATO-s.

“Ne fituam sepse aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë. Kauza jonë ishte e drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës” u shpreh Blinken, gjersa citonte fjalët e ish-sekretares amerikane, Madeleine Albright.

Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me fjalë rasti i është drejtuar edhe Roberta Metsola, kryetare e Parlamentit Evropian.

Mesazhet në fjalë u përcollën nga mbi 400 pjesëmarrës, liderë, diplomatë, akademikë, ministra e pjesëmarrës të tjerë të 33 vendeve të botës të cilët të shtunën kishin zbarkuar në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Samiti i Ballkanit Perëndimor në Prishtinë

Nën organizimin e prestigjiozes The Economist, gjatë të martës në Prishtinë është mbajtur Samiti rajonal për sigurinë, ekonominë dhe paqen në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë samit fokusi ishte tek agresioni ushtarak rus në Ukrainë, mungesa e energjisë elektrike dhe rritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve në rajon e botë.

Sponsor medial i kësaj ngjarje për këtë vit ishte Telegrafi.com

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti para të pranishmëve foli për luftimin e korrupsionit në Kosovë, ku përmendi rastin Brezovica.

‘Gjyqtarë, biznesmen, politikanë e të afërm të tyre ishin të përfshirë në këtë rast, ku u sekuestruan shumë objekte të ndërtuara në atë zonë. Epoka e korrupsionit në shtet dhe mos ndëshkueshmëria e saj po i vie fundi’, tha Kurti, raporton Telegrafi.

Duke folur për luftën në Ukrainë, kryeministri Kurti përmendi edhe lidhjen e Serbisë me Rusinë, duke thënë se nëse Serbia do të ishte një demokraci e vërtetë, nuk do të ishte kërcënim i madh i paqes në rajonin tonë.

‘Serbia ka mbyllur sytë ndaj agresionit rus. Presidenti i Serbisë nuk ka shfaqur asnjë lloj problemi në kuptimin e nënshkrimit të marrëveshjeve me aleatin e tij rus’, ka thënë Kurti.

Ndërkaq, ish-ndihmës sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell ka folur për luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se lufta në Ukrainë është eventi gjeopolitik më i rëndësishëm prej Luftës së Ftohtë.

“Është e mundur që Putini të përdorë armë nukleare, çdo lloj arme duhet të jetë e ndërlidhur me ndonjë politikë të mirëfilltë. Të dy palët në konflikt duhet të fitojnë më shumë nga bisedimet sesa nga luftimet. Ukraina po fiton në teren në luftime, e nga aspekti ushtarak rusët janë duke dështuar”, tha Mitchell.

Duke folur për ndikimin rus në Ballkan, Mitchell tha se Rusia gjithmonë ka provuar të shkaktoj trazira në regjion.

I pranishëm në forum ishte i dërguari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

“Çdo kush që mendon se konkurrenca strategjike është konkurrencë për akademikët nuk është. Na nevojiten për tu përballur me këtë konkurrencë gjeostrategjike. Proceset demokratike që i përmendi kryeministri Kurti kanë rendësi, siç janë lufta kundër korrupsionit, përparimi ekonomik etj”, tha Peach, duke shtuar se mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Qeveria me vendim të ri për targat ilegale

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur këtë të premte, ka marrë vendim të ri lidhur me konvertimin e targave ilegale, të lëshuara nga Serbia, në ato RKS.

Kryeministri Albin Kurti tha se ky vendimi bën sekuencim dhe shkallëzim të sanksioneve, konkretisht për tri javë ata të cilët nuk e zbatojnë vendimin për konvertimin e targave do të qortohen.

Pas fazës tri javore të qortimit, ai bëri të ditur se ata të cilët i mbajnë targat ilegale në Republikën e Kosovës për dy muaj rresht do t’u shqiptohen gjoba (nga 21 nëntori deri më 21 janar).

Pas kësaj faze, për dy muaj të tjerë (21 janar deri më 21 prill) do të ketë targa provuese deri në prill kur nuk do të lejohen të qarkullojnë targa të tjera përveç atyre RKS.

“Duke filluar nga data 1 nëntor deri më 21 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit e pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes. Dhe pastaj, nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë. Pastaj më 21 prill nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri Kurti, raporton Telegrafi.

Zbatimi i vendimit parasheh që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm “të hiqen” të gjitha targat që nuk janë RKS- Republika e Kosovës.

Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur zhgënjim për mosrespektimin e kërkesës së tyre dhe shteteve të tjera të QUINT-it, për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në Kosovë.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, përmes një deklarate publike të premten, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë afatin për konvertimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia në ato legale RKS.

Mes tjerash, thuhet se zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për ta bërë një gjë të tillë”, u tha në deklaratën e Price. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, cenon raportet ndërshtetërore

Krasniqi: Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, cenon raportet ndërshtetërore

Lajme
​Dyfishohet numri i të prekurve me HIV në Kosovë, 29 raste të reja për vitin 2024

​Dyfishohet numri i të prekurve me HIV në Kosovë, 29 raste të reja për vitin 2024

Shëndetësi

"Për ne mbetesh gjithmonë 23-vjeçari i lirisë" - Ramush Haradinaj kujton vëllain e tij Luanin

Lajme
Heshtja kritike në BE për Kosovën dhe Serbinë

Heshtja kritike në BE për Kosovën dhe Serbinë

Lajme
Aksidenti mes trenit dhe veturës në Pejë, vdes gruaja që kishte pësuar lëndime

Aksidenti mes trenit dhe veturës në Pejë, vdes gruaja që kishte pësuar lëndime

Kronika e Zezë
Gjendet pas një viti xhipi i Komunës së Mitrovicës së Veriut

Gjendet pas një viti xhipi i Komunës së Mitrovicës së Veriut

Lajme
Kalo në kategori