Formohet komision për emërtimin e rrugëve në Tetovë, debat politik nëse duhen riemërtuar rrugët që tashmë kanë emra

Në Tetovë u formua komision për emërimin dhe riemërtimin e rrugëve. Ky vendim i Këshillit komunalë ngjalli reagime te partitë LSDM dhe "E Majta", ndërsa OBRM-PDUKM u shpreh pro emërtimit të rrugëve që nuk kanë emra, por kundërshtoi ndërrimin e emrave ekzistues. Edhe përkundër përplasjeve, grupi i punës për u formua, ndërsa do të kryesohet nga këshilltari Albi Qamili.
“Nuk mendoj që do ketë ndonjë problem, sepse e thash, riemërtimi i rrugëve në Tetovë në pasqyrojë realitetin qytetar, karakterin urban, historinë e identitetin e Tetovës dhe nuk mendoj që do kemi ndonjë mosmarrëveshje. Kryesisht do të jemi të fokusuar tek rrugët që nuk kanë aspak emër, por edhe emrat e rrugëve ekzistuese do kenë pa dyshim ndryshime”, theksoi Albi Qamili – kryetar i grupit të punës për emërtim të emrave të rrugëve.
Këshilltari i AKI-së në komunë, Arlind Murtezani, kishte kritika ndaj shumicës së këshilltarëve, pasi siç tha, kryetari nuk ua jep fjalën këshilltarëve.
“U emërova si anëtar i Komisionit për riemërtimin e rrugëve ku do të ketë edhe ndryshime, përveç emërimeve që janë caktuar, për shkak se nuk e lidhën Tetovën me emrat si “JNA”, “Marshall Tito” e kështu me radhë, do të kërkoj që të ndryshohen këto rrugë, por këtë seancë më e rëndësishëm ishte se shumica e demonstroi fuqinë e saj duke më përjashtuar mua si këshilltar, duke u munduar të mos ma jap fjalën që më takon dhe e kam obligim. Kryetari i këshillit, së bashku me shumicën, e prunë një vendim të atillë duke u arsyetim se bëjmë shkelje të procedurës së këshillit”, tha Arlind Murtezani Këshilltar i AKI-së.
Aktualisht në Tetovë janë gjithsej 265 rrugë, prej të cilave 111 janë me emra, 113 me numra dhe 41 nuk kanë aspak emër.




















































