LAJMI I FUNDIT:

Formohet grupi punues për kombinatin ‘Trepça’

Formohet grupi punues për kombinatin ‘Trepça’

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, kryesuar nga Sala Berisha-Shala, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka shqyrtuar Projektstatutin e kombinatit “Trepça”.

Gjatë shqyrtimit të këtij statuti, në pah dolën mospajtime ndërmjet Sindikatës dhe Bordit të “Trepçës”. Andaj, komisioni vlerësoi se për shqyrtimin e mëtejmë të këtij Statuti, është i nevojshëm formimi i një grupi punues, i cili do të shqyrtojë dhe harmonizojë qëndrimet e Sindikatës, Bordit të Trepçës dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të “Trepça”, Ardian Syla ka thënë se ka pasur shumë debate lidhur me statutin, kryesisht për çështje sociale.


“Ne kemi dorëzu statutin ashtu siç është paraparë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, dhe tani presim që të kalojë nëpër procedura të mëtutjeshme, të cilat janë deri në miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe kisha dashur me thanë që si kryesues i Bordit Mbikëqyrës të Trepçës, mirëpo edhe mendimi i gjithë anëtarëve të bordit mbikëqyrës është që ky statut të kalojë sa më shpejt në mënyrë që t’i hapet rrugë regjistrimit të ndërmarrjes shoqëri aksionare, ashtu siç është paraparë me ligj, dhe Trepça e re ashtu siç po e quajmë ne, të fillojë me punën”, ka thënë ai.

Syla ka propozuar që të shqyrtohet nen për nen, në mënyrë që të të ketë debat në mes të sindikatës dhe bordit.

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së “Trepçës” ka thënë se bordi nuk ka marrë parasysh shqetësimet e tyre.

“Ky ka qenë shqetësimi jonë definivitisht, që ky draft statut veç është marrë nga Bordi copy-paste dhe u është kthyer mbrapsht Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik me dy vërejtje, ato dy vërejtje kanë qenë definitivisht të arsyeshme, unë pe arsyetoj që kanë qenë, por prapë ministria e Zhvillimit Ekonomik bashkërisht me Qeverinë u është kthyer mbrapa dhe kryesuesi i Bordit i ka bërë ato përmirësime pa kuorum, me katër veta dhe i është kthyer mbrapsht, që do me thënë ka bërë edhe shkelje ligjore, kryesuesi i Bordit. Tërë kohën sa kemi pas takime shqetësimet tona nuk janë marrë për bazë kurrë nga Bordi i Trepçës, ne jemi aksionarë dhe këta duhet ta dinë që jemi aksionarë, përfaqësojmë interesat tona që i kemi aksione 20 për qind”, ka thënë ai.

Me këtë nuk është pajtuar Sala Berisha Shala, e cila ka shprehur mosbesim se ligji ka ardhur me këto shkelje të përmendura.

“Mu nuk po ma merr mendja që deri në Kuvend ardhja e këtij materiali, këtij dokumenti të rëndësishëm ka ardhur me shkelje ashtu qysh po e përmendni ju, mungesë të kuorumit, e ashtu, besoj që nuk është e mundshme me bë qeveria një gjë të tillë, me pru një dokument të rëndësishëm në kuvend me shkelje procedurale, për ata po të them që analizoje mirë, sigurisht që janë të parapara edhe me ligj për Trepçën se si vendoset kuorumi, se si merren vendimet”, u shpreh ajo.

Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Zhvillimit, Ibrahim Rexhepi është shprehur se është interes i përgjithshëm që puna të kryhet sa më parë.

“Ka vonesa prej vitit 2016 e deri tash, dhe pikërisht për shkak të këtyre vonesave, qasja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ka qenë të formohet një ekip që ka për të punuar dokumentin dhe ai të jetë vetëm në funksion, dhe të ja lehtësojë punën bordit. Mund të jetë keq që kjo qasje tash keqinterpretohet, mos të them edhe ka manipulime rreth kësaj pune”, ka thënë ai.

Mirëpo, ndaj kësaj ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Ju keni marrë qeverinë në shtator dhe nuk mundet që të neglizhohet puna, do me thënë nëntë 9 muaj dhe pastaj të vini e të bëni presion në parlament që ne ta kryejmë për një javë. Absolutisht, Statuti i Trepçës sot nuk ka mundësi të kaloj në këtë Komision, sepse na kemi vërejtjet tona”, u shpreh Bajrami.

Sala Berisha-Shala ka lexuar statutin, duke treguar se selia e kësaj ndërmarrjeje do të jetë në Mitrovicë, duke shtuar se kjo shoqëri mund të ushtrojë aktivitetin si brenda territorit të Kosovës, ashtu edhe jashtë saj.

Për “kohëzgjatjen e pakufizuar të shoqërisë” ka pasur mospajtime në komision, fillimisht u kundërshtua nga deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu. Ky nen pas këtyre mospajtimeve është fshirë. Qeverisë do t’i takojnë 80 për qind të aksioneve, kurse 20 për qind prej tyre, punëtorëve.

Tutje, deputeti Liburn Aliu ka kërkuar qartësi lidhur me pikën e cila flet për asetet e Trepçës jashtë Kosovës.

“Duhet të definohet qartë cili është kapitali themeltar i Trepçës dhe në përputhje me qëllimin e vet të statutit, pra me nenin një, këtu kam propozuar të listohen, tash a duhet të listohen këtu brenda nenit, a me aneks, unë nuk e di, por atë mund të diskutojmë, po patjetër që duhet të futen të gjitha dhe sidomos të merret parasysh sepse askund nuk po përmenden asetet e Trepçës që janë jashtë Kosovës”, tha ai.

Në fillim të mbledhjes është votuar procesverbali nga mbledhja e datës 12 qershor. /KP /Telegrafi/