Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Serbisë – Sylvinho iu beson të ‘përhershmëve’

Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho pritet t’iu besojë edhe ndaj Serbisë, shumicës së lojtarëve që i ka inkuadruar deri tani në ndeshjet e kaluara, duke rreshtuar një formacion jo edhe aq të dashur për tifozët.
Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë sot (e shtunë) në udhëtim te Serbia në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Kuqezinjtë janë mysafir të serbëve në ndeshjen e gjashtë të Grupit K, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin Dubocica në Leskovc, me fillim nga ora 20:45.
Ekipi i trajnerit Sylvinho vjen nga një formë në ngritje në ndeshje dhe pas fitores ndaj Letonisë synon rezultat pozitiv për të mbajtur distancën me Serbinë.
Megjithatë, përzgjedhësi brazilian pritet të jetë i ndrojtur edhe kësaj radhe dhe zgjedhjet e tij pritet të lënë shumë për të dëshiruar nga tifozët.
Sipas asaj që mëson Telegrafi, Sylvinho do t’i besojë përsëri të ‘përhershmëve’ të tij në skemën 4-3-3.
Ndeshjen ndaj Serbisë, porta do të jetë përsëri e ‘blinduar’ nga Thomas Strakosha, teksa mbrojtja e pandryshuar me Elseid Hysaj dhe Mario Mitaj nga krahët dhe Arlind Ajeti dhe Berat Gjimishti në qendër.
Edhe mesfusha do të jetë e pandryshuar me Qazim Laqin, Juljan Shehun dhe Kristjan Asllanin, duke pamundësuar një vend për Ylber Ramadanin.
As në sulm nuk pritet të ketë ndryshime me Armando Brojën dhe Nedim Bajramin nga krahët dhe Rey Manajn në qendër, me Mirlind Dakun, Arbër Hoxhën dhe Myrto Uzunin që duhet të presin ende për një fanellë titullari.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë
Strakosha; Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj; Laqi, Shehu, Asllani; Broja, Manaj, Bajrami;
/Telegrafi/


















































