Forcat Speciale shqiptare dhe britanike zhvillojnë stërvitjen “Strong Eagle 10” në Bize dhe Tiranë

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se është duke u zhvilluar stërvitja dypalëshe “Strong Eagle 10” mes Forcave Speciale të Shqipërisë dhe atyre të Mbretërisë së Bashkuar.
Stërvitja po mbahet në zonën e Bizës dhe në ambiente urbane të Tiranës dhe do të zgjasë për dy javë.
Lajmi është bërë i ditur edhe nga ministri Pirro Vengu, i cili përmes një postimi në rrjete sociale theksoi rëndësinë e kësaj stërvitjeje për forcimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet dy vendeve.
“Dy javë stërvitje intensive mes Forcave tona Speciale dhe atyre të Mbretërisë së Bashkuar në Bize dhe në zonat urbane të Tiranës me qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rritjen e kapaciteteve operacionale të forcave speciale”, shkruan Vengu.
Stërvitja “Strong Eagle” është pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. /Telegrafi/









































