Lëvizja FOL ka publikuar sot raportin preliminar të monitorimit të mediave gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet Lokale 2025, i cili përfshin një analizë të detajuar të mënyrës së raportimit nga mediat tradicionale me fokus në transparencën, paanshmërinë dhe qasjen e barabartë në mbulimin e aktiviteteve zgjedhore të subjekteve politike.

Në prezantimin e raportit u mbajt edhe një panel interaktiv me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të mediave dhe shoqërisë civile, ku u diskutuan sfidat dhe përgjegjësitë e mediave gjatë fushatës.


Në panel morën pjesë Naile Dema, nënkryetare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, dhe Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor në Telegrafi.com.

Diskutimet u përqendruan në përfaqësimin e grave në debate dhe media, nevojën për transparencë dhe paanshmëri editoriale, si dhe rëndësinë e raportimit profesional e gjithëpërfshirës gjatë periudhave zgjedhore.

“Lëvizja FOL do të publikojë raportin final pas përfundimit të procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Raportin e plotë mund ta gjeni në faqen zyrtare të FOL-it: levizjafol.org /Telegrafi/



.