Hotelet në Durrës kanë përfunduar përgatitjet për festat e fundvitit. Interesi për të kaluar natën e Krishtlindjes dhe ndërrimin e viteve është i lartë, ndërsa këtë vit vihet re një prani më e madhe e turistëve të huaj që kanë zgjedhur Durrësin për këto festa.

Sipas operatorëve turistikë, kapacitetet e hoteleve në zonën e plazhit janë ezauruar në rreth 90 për qind të kapacitetit të tyre.


“Këtë vit kemi një risi, që viti i ri ka pasur një kërkesë të lartë të huajsh për të festuar në Shqipëri. Pra kemi 90% të rezervimeve janë nga shtetas të huaj, të cilët janë shtetas bullgarë, gjerman, por edhe anglez. Gjëja e veçantë është që kemi një grup nga Amerika, prej rreth 40 personash, të cilët kanë vendosur të festojnë vitin e ri në Shqipëri”, tha Blerim Norja, operator turistik.

Hoteleritë janë përgatitur me programe të veçanta artistike dhe festive për t’i ofruar një atmosferë të veçantë klientëve.

“Ajo gjëja që është më interesante dhe që tërheq më shumë është tradita shqiptare, pasi mënyra se si ne festojmë dhe mënyra se si ne organizojmë është 100% traditë. Pra, kemi menunë tonë të pa negociueshme, pra menu tradicionale shqiptare që nuk mungon kurrë bakllavaja, gjeli i detit, byrek me qumësht… por dhe mënyra se si orgaziojmë festën që është muzikë shqiptare, valle shqiptare dhe kostume tradicionale shqiptare. Pra, çdo gjë 100% traditë”, shton Norja.

Durrësi vijon të forcohet si një destinacion turistik ndërkombëtar, duke tërhequr vizitorë nga vende të ndryshme të botës.

Kulinaria, traditat dhe mikpritja mbeten ndër vlerat më të vlerësuara nga turistët e huaj./Tv Klan