Do t’ju befasojë sa herët fëmijët, në fakt, fillojnë të krijojnë kujtime

Nuk është e rrallë që prindërit të mendojnë se çfarë do të mbajë mend fëmija nga fëmijëria dhe çfarë lloj kujtimesh do ta shoqërojnë gjatë jetës. Deri vonë, besohej se fëmijët pothuajse nuk mbanin mend asgjë para moshës trevjeçare, por sot ekspertët thonë se kujtesa e fëmijëve është shumë më e fortë dhe më e zhvilluar sesa mendohej dikur.


Kujtimet afatgjata që ata formojnë mund të mos jenë gjithmonë plotësisht të sakta, por megjithatë, fëmijët janë në gjendje të kujtojnë shumë gjëra nga fëmijëria e tyre e hershme.

Ja pse kjo është e rëndësishme dhe çfarë mund të bëjnë prindërit lidhur me këtë:

Ideja se fëmijët nuk mbajnë mend asgjë para moshës trevjeçare është e gabuar

“Fëmijët shpesh arrijnë të kujtojnë ngjarje shumë më të hershme sesa kemi besuar më parë”, ka deklaruar për HuffPost profesorja që studion gjuhën dhe kujtesën në Universitetin Memorial të Newfoundland-it në Kanada, prof. Carol Peterson.

Disa nga studimet e saj fokusohen në fenomenin e njohur si “amnezia e fëmijërisë”, ideja se fëmijët (dhe madje edhe të rriturit) mbajnë mend shumë pak nga jeta para moshës tre ose katër vjeç. Për dekada me radhë, ekspertët mendonin se kjo ndodhte sepse truri i fëmijëve nuk ishte në gjendje të formonte kujtime para një momenti të caktuar zhvillimi.

Megjithatë, Peterson dhe studiues të tjerë kanë zbuluar se kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë. Një nga studimet e saj tregoi, për shembull, se fëmijët që përjetojnë situata mjekësore urgjente në moshën dyvjeçare dhe që intervistohen vite më vonë – janë në gjendje të kujtojnë qartë elementet kryesore të asaj përvoje. Edhe pse kujtimet mund të mos jenë aq të detajuara sa tek fëmijët më të rritur, ato ekzistojnë dhe janë të pranishme.

Studime të tjera sugjerojnë se fëmijët e moshës pesë, gjashtë apo shtatë vjeç e kujtojnë mjaft mirë atë që u ka ndodhur kur ishin tre vjeç, por fillojnë t’i humbin këto kujtime rreth moshës tetë apo nëntë vjeç.

Prandaj, nuk ka një konsensus të qartë për moshën kur formohen kujtimet e qëndrueshme – kjo varet nga vetë fëmija. Megjithatë, thelbi është i qartë: fëmijët mund të mbajnë mend disa përvoja shumë më herët sesa mendojmë, transmeton Telegrafi.

Ajo që mbajnë mend më shumë është emocioni

“Gjithçka që ka rëndësi emocionale, fëmijët do ta mbajnë mend”, ka thënë më herët për HuffPost psikologia klinike nga Los Anxhelosi, Dr. Jenny Yip.

Nga ana tjetër, ka edhe lajme të mira: shumica e fëmijëve nuk ndryshohen ndjeshëm nga një ngjarje e vetme emocionale apo nga një kujtim i izoluar, gjë që është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për përvoja emocionalisht të vështira.

“Ngjarjet e vetme, përveç atyre që janë vërtet traumatike, rrallëherë kanë efekt afatgjatë në zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve”, shpjegon psikologu klinik Mark Rienecke. “Në përgjithësi, fëmijët janë mjaft të qëndrueshëm.”

Prindërit luajnë rol kyç në formësimin e kujtimeve të fëmijëve

Një pjesë e punës së Peterson si studiuese është t’i ndihmojë fëmijët të zhvillojnë aftësinë për të kujtuar në mënyrë më të rrjedhshme. Ajo shpesh i pyet fëmijët për kujtimin e tyre më të hershëm dhe vetë rikujtimi i këtyre përvojave shpesh i ndihmon fëmijët të lidhen më mirë me të tjerët.

Kjo është e rëndësishme, sepse fëmijët i përdorin kujtimet për të ndërtuar ndjenjën e identitetit ndërsa rriten.

“Dallimi qëndron te mënyra se si prindërit flasin me fëmijët e tyre. Kur prindërit flasin me ta për përvojat që kanë kalua, për atë që kanë bërë javën e kaluar, verën e kaluar apo vitin e kaluar – kjo është si të stërvitësh një muskul”, shpjegon Peterson. “Fëmija zhvillon zakonin të reflektojë më shumë mbi kujtimet dhe t’i ruajë ato më mirë.”

Edhe pse prindërit kanë prirje të theksojnë vetëm kujtimet e bukura dhe të shmangin bisedat për përvojat negative, sipas saj është e rëndësishme që të përfshihen të dyja.

“Një nga gjërat më të rëndësishme që fëmijët duhet të mësojnë është të kuptojnë dhe të përballen me përvojat negative që kanë pasur në jetë. Të flasësh për to, ta ndihmosh fëmijën t’i kuptojë dhe ta ndiejë se ka pasur një farë kontrolli dhe është përballur mirë me to, këta janë hapa shumë të rëndësishëm”, përfundon ajo. /Telegrafi/