Villarreali po paraqitet i dobësuar në duelin kundër Juventusit sonte në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve. Futbollisti izraelit Manor Solomon nuk do të luajë për shkak të arsyeve fetare, pasi përkon me Yom Kippur, ditën më të shenjtë në kalendarin hebraik.

Vetë Solomon e konfirmoi këtë përmes rrjeteve sociale: "Fatkeqësisht, nuk do të jem në gjendje të luaj sonte për shkak të festës hebraike. I uroj ekipit tim fat të mbarë", shkroi ai në Instagram.


Kjo mungesë nuk ka lidhje me ndonjë lëndim apo mosmarrëveshje me klubin. Gjatë Yom Kippur, i cili zgjat nga mbrëmja e së mërkurës deri në mbrëmjen e së enjtes, besimtarët respektojnë strikt agjërimin, lutjet dhe heqjen dorë nga çdo aktivitet fizik, duke përfshirë edhe ndalimin e pjesëmarrjes në ngjarje sportive.

Normat fetare ndalojnë përdorimin e transportit dhe çdo përpjekje fizike, që e bën të pamundur paraqitjen në stadium ose pjesëmarrjen në ndeshje.

Edhe pse Solomon nuk ishte pjesë e formacionit titullar, pritej të merrte minuta nga stoli, duke qenë një aset i rëndësishëm për trajnerin në ndeshjet e fundit.

Villarreal do të jetë më i dobësuar gjithashtu për shkak të mungesave të Gerard Moreno, Ayoze Pérez, Logan Costa, Willy Kambwala dhe Juan Foyth, të cilët janë jashtë për shkak të lëndimeve. /Telegrafi/

telegrafi sport app