Proceset aktuale politike në Kosovë, çështjet e bashkëpunimit të mëtejmë të Kosovës me ZCN-në në Kosovë, si dhe vizita e delegacionit të Kosovës në Parlamentin Evropian në Bruksel, ishin tema thelbësore të takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, me përfaqësuesin e ZCN-së në Kosovë, Pieter Feith.

Pieter Feith ka përgëzuar kryeparlamentarin për këtë vizitë mjaft të suksesshme, gjatë së cilës pos aktiviteteve tjera, delegacioni parlamentar i Kosovës ka mbajtur një takim me parlamentarë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, si dhe një takim me Parlamentin Evropian.

Në vijim, Pieter Feith ka theksuar se njohja ndërkombëtare e Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje nga ana e shteteve të BE-së dhe shtetet e tjera të botës.

Feith ka thënë se është i impresionuar me punën që ka bërë Kuvendi i Kosovës, sidomos me aprovimin e Kushtetutës së Kosovës, si dhe të ligjeve.

Ai ka thënë se do të mbështetin Qeverinë e Kosovës për sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës. Në këtë aspekt edhe Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë do të ushtrojë funksionin e vet në mbarë territorin e Kosovës, ka përfunduar Feith.