LAJMI I FUNDIT:

Fatkeqësitë natyrore shkaktuan 95 miliardë dollarë humbje në vitin 2023

Fatkeqësitë natyrore shkaktuan 95 miliardë dollarë humbje në vitin 2023

Tërmetet në Turqi dhe Siri, stuhitë në SHBA dhe fatkeqësi të tjera natyrore shkaktuan 95 miliardë dollarë humbje në vitin 2023, vlerësoi risiguruesi gjerman, Munich Re.

Shuma e humbjeve nga fatkeqësitë natyrore të mbuluara nga sigurimet është 24 për qind më e ulët se në vitin 2022, por shumë mbi mesataren 10-vjeçare prej 90 miliardë dollarësh. Ajo tejkaloi ndjeshëm mesataren 30-vjeçare prej 57 miliardë dollarësh, vë në dukje Munich Re.


Swiss Re vlerësoi humbjen e vitit të kaluar të mbuluar nga sigurimet në 100 miliardë dollarë.

Sipas Munich Re, tërmetet në Turqi dhe Siri në vitin 2023 ishin më shkatërruesit, të cilët morën 58 mijë jetë njerëzish dhe shkaktuan dëme prej 50 miliardë dollarësh në humbje totale. Dëmi i mbuluar nga sigurimet arriti në 5.5 miliardë dollarë.

Viti i kaluar, megjithatë, nuk u shënua ndonjë fatkeqësi e madhe individuale, por stuhi të forta në SHBA dhe Evropë, të cilat po shtohen për shkak të ndryshimeve klimatike, thekson kompania gjermane.

“Zhurma e sfondit po bëhet gjithnjë e më e fortë. Humbjet që deri më tani i konsideronim ‘humbje kolaterale’ dytësore dhe më pak të rëndësishme janë bërë burimi kryesor i humbjeve”, tha për Reuters, shkencëtari kryesor i klimës në Munich Re, Ernst Rauch.

Humbjet totale nga fatkeqësitë natyrore, përfshirë ato që nuk mbulohen nga sigurimet, ishin 250 miliardë dollarë vitin e kaluar, afër nivelit të vitit 2022 dhe mesatares së mëparshme pesëvjeçare, por mbi mesataren 10-vjeçare dhe 30-vjeçare.

Humbje të konsiderueshme u regjistruan përsëri në SHBA, pavarësisht një sezoni relativisht të butë uraganesh.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se për shkak të ngrohjes së atmosferës së Tokës, dëmet do të jenë edhe më të mëdha në dekadat e ardhshme. Prandaj, siguruesit kanë filluar të rritin çmimet e policave dhe në disa zona nuk mbulojnë më dëmet e mundshme. /Telegrafi/