Kosova do ta nisë rrugëtimin kualifikues për 'Euro 2020' me ndeshjen e të hënës mbrëma kundër Bullgarisë, e cila zhvillohet në stadiumin "Fadil Vokrri" me fillim nga ora 20:45.

Përfaqësuesja e 'Dardanëve' debuton në një turne kualifikues të Kampionatit Evropian me një mbështetje të madhe të tifozëve, me shpresën për ta nisur mbarë aventurën në Grupin A.


Kosova Danimarka foto Ridvan Slivova 65 (Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova)

Faqja e UEFA-s ka bërë një listë prej katër ndeshjesh që nuk duhen humbur në këtë xhiro kualifikuese për Kampionatin e ardhshëm Evropian, ndërsa aty është sfida ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë.

"Kosova ka shkëlqyer në Ligën D të Ligës së Kombeve duke përfunduar në krye të grupit pa humbje, falë rezultateve, si fitorja prej 4-0 kundër Azerbajxhanit në shtëpi".

Kosova Danimarka foto Ridvan Slivova 66 2 (Foto: Telegrafi/Ridvan Slivova)

"Duke munguar në fazën finale që nga 'Euro 2004', Bullgaria po kalon një periudhë jo të mirë dhe luajti baras ndaj Malit të Zi të premten. A do ta shfrytëzojë përparësinë në Prishtinë, Kosova që po fluturon lartë?", shkruan uefa.com.

Në grupin e ndeshjeve që duhen ndjekur është përmendur përballja ndërmjet Holandës dhe Gjermanisë (e diel), si edhe rikthimi i Cristiano Ronaldos te kampioni në fuqi, Portugalia.

Po ashtu, të martën zhvillohet ndeshja interesante ndërmjet Zvicrës dhe Danimarkës që nuk duhet humbur, rekomandon faqja e UEFA-s. /Telegrafi/

telegrafi sport app