Të afërmit dhe familjarët e viktimave që po fluturonin me MH370 të Malaysia Airlines, pretendojnë se kanë gjetur pjesë të reja nga aeroplani i zhdukur.

Këto gjetje, ata do t’i prezantojnë para qeverisë në Malajzi, gjatë kësaj jave, transmeton Telegrafi.

Fluturimi MH370 që ishte nisur prej Kuala Lumpurit për në Pekin të Kinës, më tetë mars të vitit 2014 me 239 njerëz në bord, është zhdukur papritmas dhe u bë një prej aksidenteve më misterioze në historinë e aeronautikës.

Pjesët e gjetura nga kërkuesit e mëparshëm

Zyrtarët në Malajzi dhe hulumtuesit ndërkombëtarë, besojnë se aeroplani ka dalë disa kilometra prej kursit të parashikuar dhe ka humbur nga radarët, ndërsa sipas të gjitha gjasave ka përfunduar diku në Oqeanin Indian. Arsyet e daljes prej kontrollit dhe humbjes, janë ende të panjohura.

Deri më tani, janë gjetur 27 pjesë të ndryshme aeroplanësh, por vetëm tri prej tyre raportohet se i përkasin atij Boeing 777.

Në një komunikatë të shkurtër të familjarëve, thuhet se gjetjet e reja, do t’i prezantojnë para ministrit të transportit. /Telegrafi/