Erozioni detar kërcënon zhdukjen e plazhit të Porto Romanos në Durrës

Një nga plazhet e njohura të qytetit të Durrësit po përballet me një rrezik serioz zhdukjeje për shkak të erozionit detar. Në Porto Romano, brenda pak vitesh, deti ka avancuar disa metra në brendësi të tokës, duke ngushtuar ndjeshëm brezin e rërës dhe duke ndryshuar hartën natyrore të zonës.
Për të frenuar dallgët dhe gërryerjen e mëtejshme të tokës, përgjatë segmentit rrugor janë vendosur gurë masivë mbrojtës. Megjithatë, sipas ekspertëve, këto masa janë vetëm të përkohshme dhe nuk e ndalin përparimin afatgjatë të erozionit.
Në Porto Romano, aty ku dikur shtrihej një brez i gjerë rëre sot, kjo hapësirë është pushtuar nga deti. Brenda pak viteve, vija bregdetare është zhvendosur disa metra në brendësi të tokës, një tregues i qartë i erozionit agresiv që po gërryen këtë zonë turistike të Durrësit.
Gjurmët e gërryerjes detare janë tashmë të dukshme. Brezi i parë i bunkerëve, të ndërtuar në mesin e viteve ’70, ndodhet nën ujë, ndërsa brezi i dytë shfaqet herë pas here mes dallgëve. Këto pamje janë dëshmi e qartë e përparimit të detit drejt tokës.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike, lëvizjet sizmike dhe zhvillimi urban i pa studiuar kanë ndikuar ndjeshëm në përshpejtimin e erozionit në këtë zonë.
“Segmenti rrugor në veri të qytetit të Durrësit është një zonë sizmike dhe vazhdimisht shohim lëvizje të dherave edhe nëntokësore dhe sipërfaqësore. Kjo rrugë nuk është restauruar asnjëherë dhe nuk është ndryshuar sipas parametrave industrial. Kjo gjë duhet të pasohet me procese të mbledhjes së dioversitetit, të algave, të bimësisë në shtratin e detit në mënyrë që të mbrohen argjinaturat aty ku erozioni është gjithnjë më i fortë dhe duhet hequr çfarëdo lloj prespektive industriale në veriun e qytetit të Durrësit”, thekson Artan Kacani – Urbanist.
Specialistët paralajmërojnë se, nëse nuk ndërmerren masa të mirëstudiuara dhe afatgjata për mbrojtjen e vijës bregdetare, Porto Romano rrezikon të humbasë përfundimisht, duke i shtuar Durrësit edhe një tjetër humbje të rëndë mjedisore dhe turistike./Euronews Albania




















































