Debutimi i ëndrrave i Ermal Krasniqit në Superligën rumune, gol dhe asistim në derbi

Anësori nga Kosova, Ermal Krasniqi, e ka gjetur golin që në ndeshjen e tij të parë me skuadrën rumune, CFR Cluj.
24-vjeçari u transferua javë më parë te klubi i tij i ri nga Ballkani i Suharekës dhe tashmë ka lënë gjurmë që në sfidën e tij të parë.
Në ndeshjen ndaj Farul Constanta, gjysma e parë nuk prodhoi gola, ndërsa me të filluar pjesa e dytë, futbollisti nga Malisheva e tundi rrjetën.
Në minutën e 49-të, Krasniqi kombinoi me Emmanuel Yeboah, i cili ia ktheu topin dhe ‘numri 7’ hyri në zonë për të shënuar gol të bukur.
Ai nuk u ndal me kaq. Pas golit të dytë të Cristian Manea të shënuar nga penalltia (59’), Claudiu Petrila e realizoi golin e tretë (77’), në të cilin anësori shqiptar ishte asistues.
Arkitekti i këtij goli, Krasniqi, i kaloi për mrekulli dy lojtarë kundërshtarë dhe pastaj e gjeti në qendër bashkëlojtarin e tij, i cili realizoi. /Telegrafi/












































