Erion Veliaj paraqitet në GJKKO, sot vendoset nëse dosja kalon për gjykim

Këtë të martë në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës paraprake për dosjen “Veliaj”.
Gjykata pritet të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do ta rikthejë në SPAK për hetime të mëtejshme.
I pranishëm në seancë është edhe vetë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ndërsa Prokuroria e Posaçme përfaqësohet nga prokurori Ols Dado.
Seanca e kaluar paraprake u shty për shkak se mbrojtja kërkoi kohë për t’u njohur me aktet e dosjes, dhe gjykata e pranoi kërkesën e tyre, raporton euronews.al.
Më herët, Veliaj i është drejtuar GJKKO-së që t’i vihet në dispozicion një kopje fizike e dosjes, në mënyrë që të ketë mundësi të përgatitet për mbrojtjen.
Veliaj argumenton se nuk i është lejuar të lexojë asnjë faqe dhe se USB-ja që i është dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret në paraburgim.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre, si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave si dhe pastrim parash.
Më datë 3 nëntor, Kushtetuesja i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës.
Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë. Më 27 nëntor, ai iu drejtua sërish Kushtetueses duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë për masën “arrest me burg”.










































