Nga: Dashnor Kaloçi
Gjatë gjithë periudhës që Sadik Premtja qëndroi në Francë, prej vitit 1946 e deri sa ndërroi jetë në 7 prillin e vitit 1991, ai pati një jetë aktive në angazhimet politike si anëtar i Partisë Komuniste Franceze dhe gjithashtu si kryetar i Internacionales së IV-të Komuniste për seksionin shqiptar. Si rezultat i kësaj, ai herë pas here botonte dhe artikuj të ndryshëm në revistën “Le drapeau du socialism” që nxirrte Internacionalia e IV-të dhe në dy nga numrat e kësaj reviste të vitit 1988, redaksia e saj ka botuar kujtimet e Sadik Premtes me titull “Enver Hoxha, një shitës duhani” dhe nëntitull “Kujtime të Sadik Premtes, një komunist shqiptar”. Këto kujtime janë përgatitur nga gazetari Maurice Najman, duke i paraqitur ato pak a shumë në formën e një interviste. Ndërsa, periudha e botimit të tyre disa vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe kur në Evropën Lindore po fillonin ndryshimet politike, me shumë gjasa ka të bëj me faktin se ai nuk ka dashur që t’ju sillte pasoja të mëtejshme familjarëve dhe të afërme që kishte lënë në Shqipëri.
Më poshtë kujtimet e Premtes vazhdojnë me një kronologji të jetës dhe veprimtarisë së tij, duke filluar që nga fshati i tij i lindjes, Gjormi, familja dhe të afërmit, shkolla Teknike Amerikane e Fultz-it në Tiranë, njohja me idetë komuniste, aderimi në Grupin Komuniste të të Rinjve, mbledhja themeluese e Partisë Komuniste Shqiptare, kontraditat me Enver Hoxhën dhe lufta që ai i bëri për ta eliminuar fizikisht gjatë periudhës së Luftës në vitin 1943-44, duke i përmbyllur ato me atentatet që iu bënë Sadikut nga ana e Zbulimit Shqiptar në bashkëpunim me Ambasadën shqiptare në Paris etj. Gjëra të cilat do t’i shohim më poshtë janë ashtu siç i ka botuar revista franceze.
Enver Hoxha, një shitës duhani
Kujtime të Sadik Premtes, një komunist shqiptar
Tregimi që po botojmë më poshtë është një dëshmi thelbësore kundër shtrembërimit të historisë së lëvizjes komuniste në Shqipëri. Shoku ynë, Sadik Premtja, tregon se çfarë ndodhte, sesi në vitin 1941, gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, u krijua Partia Komuniste Shqiptare, një prej themeluesve të së cilës ishte ai vetë dhe sesi, që prej fillimit, kjo lëvizje ishte pre e gangrenës staliniste, gjë që i dha mundësi shitësit të duhanit, Enver Hoxha, të shtinte ne dorë pushtetin…
Gjormi ishte një fshat tipik i Shqipërisë së para luftës. Me ca baraka druri përqark xhamisë dhe një farmacie, jeta e vështirë e fshatit mbahej në këmbë me një bujqësi malore. Tagrambledhësi ishte e vetmja prani e dukshme e shtetit, nëse mund ta quajmë kështu atë gjoja administratë, që feudalet kishin ngritur nëpër fshatra para se në fillim të viteve 1920, një e ashtuquajtur qeveri qendrore të arrinte bashkimin kombëtar, nën kujdestarinë e një Republike sa jetëshkurtër aq edhe të ngathët. Këtu kam lindur unë, në janar të vitit 1915. Si gjithë banorët e Gjormit dhe si 80 për qind e banorëve të Shqipërisë, prindërit e mi, familja ime, ishin fshatarë të varfër, pronarë të një copë toke të vogël, të disa dhenve e dhive.
Thuajse si gjithë të tjerët edhe ne ishim myslimanë, por nuk ndiqnim shartet e fesë as gjatë muajit të Ramazanit, kur vetëm gjyshja ime agjëronte. Bile të rinjtë talleshin me “ata pleqtë” që shkonin në xhami. Gjithë rininë time e kam kaluar në këtë fshat, i izoluar nga çdo gjë, pa asnjë të dhënë për botën, pa radio, pa gazeta. Jetë politike? As që ia dinim kuptimin kësaj fjale. Shqipëria në atë kohë nuk e dinte fare se ç’ishin partitë politike. Zgjedhje bëheshin në kohën e Republikës, kur duheshin zgjedhur deputetë për në Parlament. Në fakt ishte fjala për një sistem të tërthortë.
Nëpër fshatra zgjidhej “kolegji zgjedhor”. Pjesëtarët e tij pastaj zgjidhnin anëtarët e Parlamentit. Një kushëriri im ishte zgjedhur për të përfaqësuar fshatin tonë. Po pse zgjodhën atë, nuk më kujtohet. Me sa mbaj mend, politika, programet politike, të drejtat e njeriut, e të tjera si këto, as që hynin fare në këtë mes. Ai ishte marrë vesh me një kandidat për deputet se do t’i jepte votën, nëse i premtonte se do t’i siguronte një bursë studimesh në Institutin Teknik të Tiranës, një kushëririt të tij të ri. Është kështu që pas katër vjet studimesh në Vlorë, unë munda të nisem për në kryeqytet. Në atë kohë, Ahmet Zogu, mbreti i ardhshem i vendit ishte një pronar tokash, familja e të cilit jetonte në malësi, si edhe ministër i Brendshëm i Qeverisë republikane, president i së cilës ishte patriarku ortodoks i vendit, Fan Noli. Fan Noli njihej si shkrimtar dhe si përkthyes i “Rubairave” të poetit Persian Omar Khayyam, veçori karakteristike e të cilave ishte vënia në dyshim e ekzistencës së Zotit.
Në vitin 1923, Zogu organizoi një kryengritje kundër Republikës. Fan Noli iu përgjigj duke i bërë thirrje popullit të ngrihej në këmbë. Në atë kohë të gjithë ishin të armatosur; nuk kishte ushtri të rregullt, vetëm disa milicë në shërbim të feudalëve. Lufta civile u zhvillua me shpejtësi, duke e detyruar Zogun të strehohej në Jugosllavi, ku u prit me dashamirësi nga monarkistët dhe grupe të Ushtrisë së Bardhë, me të cilët ai edhe u lidh.
Fan Noli, si shumë intelektualë të rinj shqiptarë, nuk e fshihte simpatinë e tij për Revolucionin e Tetorit. Në vitin 1924 ai kërkoi që Parlamenti shqiptar të mbante një minutë heshtje për vdekjen e Leninit. Kjo shqetësoi vendet përreth, sidomos Jugosllavinë, e cila që nga ai çast nuk kurseu mbështetjen e saj për komplotin monarkist kundër Republikës Shqiptarë. Në këtë mënyrë, Zogu, me ndihmën e rusëve të Bardhë, mundi të ngrejë në këmbë një ushtri të rregullt, me të cilën pushtoi Shqipërinë. Lufta e re civile zgjati rreth tre muaj. Por, ç’mundet të bënin fshatarët e paarmatosur si duhet, kundër ushtrisë së mirëorganizuar të Zogut?
Me shpejtësi, mbrojtësit e Republikës u thyen. Fshatarët nuk e kuptonin përse Fan Noli duhet të lidhej me feudalët republikanë, gjë që e pengoi t’i japë luftës civile një përmbajtje sociale. Pas humbjes, republikanët mërguan në Itali dhe në Francë, kurse Zogu u emërua president i Republikës, para se të shpallej nga Parlamenti, mbret i vendit, nën emrin Zogu i Parë, mbret i shqiptarëve. Nga ky çast u krijua diçka që i ngjante një shteti “modern”, me ushtri, me polici, e kështu me radhë, por pa ndonjë ndryshim të madh në jetën e një milion shqiptarëve që mbetën gjithmonë larg rrymave të mëdha të mendimit, pa jetë politike, pa sindikata.
Shumica e shqiptarëve fshatarë të mjeruar, 80 për qind analfabetë. Jeta ime e ndërgjegjshme nisi kur erdha në Tiranë. Atëherë kryeqyteti ishte një qytet fare i vogël, një qytezë fshat, si të thuash, me nja 30 mijë banorë, që mbaheshin gjallë me pazaret, ku fshatarët e zonave përreth, dy herë në javë lejoheshin të shisnin mallrat e tyre. Deri në vitin 1934 bëra atë jetën pa problemë të një studenti me bursë. Por, atë vit gjërat ndryshuan. Policia mbretërore zbuloi një komplot republikan dhe arrestoi nja njëzetë intelektualë e tregtarë, të cilët, pas disa kontakteve të dyshimta, kishin menduar se mund ta bënin për vete ushtrinë. Të paorganizuar mirë dhe pa një program të qartë, ata u zbuluan, apo u denoncuan shpejt.
Dy nga kushërinjtë e mi ishin përfshirë në këtë komplot pa të ardhme. Njëri prej tyre mundi të ikë në Greqi. Tjetri u arrestua dhe u dënua me vdekje. Revolta ime kundër Monarkisë fillon menjëherë pas kësaj ngjarjeje. Në institut të gjithë studentët flisnin për “çështjen”, edhe pse, në përgjithësi, as që e kishin idenë se cili ishte thelbi i çështjes. Duke u ruajtur me shumë kujdes nga spiunët e panumërt të Mbretit, që vërtiteshin gjithandej, fillova përpjekjet për të kontaktuar me të rinj, që, sikurse unë, donin “të bënin diçka”. Kështu, një ditë u njoha rastësisht me disa studentë që më dhanë një broshurë të shkruar nga Kropotkini. M’u duk sikur bëra një zbulim. Zbulova botën me një gëzim të madh, që më habit edhe sot kur e mendoj. Leximi i kësaj broshure më bëri të vendos vërtet të hyj në luftë. Por, atëherë kjo për mua sikur nuk kishte ndonjë domethënie të madhe, se nuk dija çfarë të bëja. Në këtë kohë u njoha me Anastas Lulon. Edhe ai ishte student i Institutit. Ishim takuar ndonjëherë. Por, nuk e dija që ishte komunist. Ai më kishte zbuluar. I njihte ndjenjat e mia antimonarkiste.
Në atë periudhë, një republikan bëhej shpejt komunist. Anastasi ishte pjesë e një fraksioni të një prej tre grupeve komuniste të vendit. Shqipëria, atëherë, ishte i vetmi vend i Evropës që nuk kishte parti komuniste, qoftë edhe në ilegalitet. Kishte disa grupe të vogla të ngritura më tepër mbi baza sentimentale, sesa teorike. Secili prej tyre e mbante vetën si e vetmja “parti e vërtetë”, megjithëse gjeografikisht baza e tyre kufizohej thjesht në një qytet apo krahinë.
“Grupi i komunistëve shqiptarë”, të cilit i përkiste Anastas Lulo, ishte formuar në Moskë më 1928 dhe ishte njohur nga Internacionalja Komuniste. Quhej grupi i Korçës, nga emri i qytetit ku ishte vendosur. Enver Hoxha, asokohe shitës duhani, ishte një nga drejtuesit e tij. Anastasi më shpjegonte marksizmin, mënyrat e shfrytëzimit të shoqërisë, luftën e klasave, karakteristikat e feudalizmit… Ai më fliste shumë për Bashkimin Sovjetik, për Revolucionin e Tetorit… Ne filluam të rekrutojmë disa studentë, gjimnazistë, bile edhe vajza nga Instituti i Femrave i Tiranës. Shpejt ne u shtuam dhe u ndamë në celula, në fillim me tre e më pas me pesë veta. Veprimtaria jonë përqendrohej në problemet e formimit dhe të edukimit politik. Ne botonim libra, duke përkthyer në shqip veprat kryesore të Marksit, Engelsit, Leninit dhe bile të Trockit. Nga ky i fundit kemi botuar edhe disa shkrime me karakter ushtarak, pa e ditur në fakt se ato ishin ndaluar. Deri në vitin 1939 ne nuk kishim lidhje me grupet e tjera komuniste, as ndonjë veprimtari të vërtetë politike.
Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939, e ndryshoi situatën. Në prag të pushtimit, banorët e Tiranës u mblodhën vetvetiu para Pallatit të Mbretit duke kërkuar armë për të luftuar trupat fashiste. Një ministër doli në ballkon “për të folur në emër të Mbretit”. Ai tha se “Mbreti ishte gati të dilte vetë në mal për të luftuar fashizmin”, por “populli duhet të kishte durim“. Ndërsa, disa forca të ushtrisë e disa qindra civilë përpiqeshin të përballonin me dëshpërim përparimin e ushtrive të Musolinit, Mbreti përgatiste valixhet, duke mbledhur pasurinë që kishte e ia mbathi për në Greqi, Britaninë e Madhe, Francë, Egjipt e me radhë.
Pushtimi krijoi menjëherë për ne një terren të përshtatshëm për të rekrutuar anëtarë të rinj. Problemi ynë i vetëm atëherë ishte të organizonim sa më shumë njerëz, të formonim kuadro, të zgjeronim përhapjen e grupit, në përgatitje të një rezistence të armatosur. Militantët tanë më të përgatitur u dërguan në zona të ndryshme për të bërë propagandë kundër pushtuesve dhe për të krijuar bërthama rezistence. Më kujtohet që gjatë këtyre muajve, të kem kaluar në këmbë të gjithë fshatrat e rrethit të Vlorës. Kur mbërrita në një fshat, kërkova së pari të takoj kryeplakun e fshatit, të cilit i shpjegova gjendjen dhe i kërkova të thërriste në mbledhje banorët e fshatit. Kur njerëzit u mblodhën, mora fjalën duke dënuar pushtimin fashist dhe duke bërë thirrje për rezistencë kombëtare.
Në fund të mbledhjes, zgjodhëm një këshill të çlirimit kombëtar, i cili, ndër të tjera, kishte për detyrë të rekrutonte të rinjtë më luftarakë e të gatshëm për të rrokur armët. Por, gjithë kjo veprimtari rëndohej nga ndarja e grupeve komuniste. Ne kishim disa kontakte me njëri-tjetrin dhe, herë pas here botonim së bashku trakte dhe proklamata.
Pas hyrjes në luftë të Bashkimit Sovjetik, në qershor të vitit 1941, ne na shkuan kot përpjekjet për afrimin e Grupit të të Rinjve, me atë të Shkodrës dhe të Korçës, për themelimin e një partie komuniste të unifikuar. Atëherë, përmes disa shokëve tanë që banonin në Kosovë, provincë shqiptare e Jugosllavisë, kërkuam arbitrazhin e komunistëve jugosllavë. Në atë kohë u njoha me Enver Hoxhën. Në atë periudhë ai ishte rreth 35 vjeç dhe njihej fare pak. Ishte një drejtues i kategorisë së tretë apo të katërt. Ishte shumë i fryrë. Hiqej si intelektual, është e vërtetë që kishte studiuar në Universitetin e Montpëllier në Francë (ca thonë për Drejtësi, ca për Letërsi), pasi kishte mbaruar liceun francez në Korçë. Babai i tij ishte një tregtar i pasur nga Gjirokastra. Sipas legjendës, ai u hodh në luftë në moshë fare të re dhe pasi kreu shkëlqyeshëm studimet në Francë, u kthye në Tiranë “për të marrë drejtimin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare“… Në të vërtetë, ai nuk mori dot provimet në Francë dhe u mor në punë në Legatën e mbretit Zog në Bruksel.
Nuk e di nëse ai ka zhvilluar ndonjë veprimtari politike në Francë, siç thonë, por nëse në të vërtetë ai ishte përjashtuar nga Legata për “arsye politike”, si mundi të gjejë punë si profesor në liceun e tij të vjetër, në kohën e mbretit Zog? Në të vërtetë, Enver Hoxha, një djalosh i bukur, bridhte pas femrave dhe ka kohë që qarkullojnë pëshpëritje se dashuriçkat e tij, ishin një faktor jo i parëndësishëm në dështimet e tij universitare dhe profesionale. Sidoqoftë, në fillim të viteve 1940, kur u njoha me të, Enver Hoxha nuk kishte autoritet politik ndaj komunistëve. Sipas biografëve të tij, ai udhëhoqi manifestimin e madh antifashist në Tiranë, më 1942. Gënjeshtër. /Memorie/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Po ndodh eksodi nga “X”-i drejt “Bluesky”-t: Ka përfunduar epoka e platformave masive të mediave sociale!
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme