LAJMI I FUNDIT:

Enver Hoxha detyroi ushtarët italianë të punojnë arat e fshatarëve (Video)

Enver Hoxha detyroi ushtarët italianë të punojnë arat e fshatarëve (Video)

Ekzistojnë shumë dokumente që dëshmojnë pozitën e vështirë në të cilën u gjend Ushtria italiane pas kapitullimit të saj në Shqipëri. Një ushtri e copëtuar dhe e shpërndarë në të gjithë vendin, pa një orientim të qartë përgjatë gjithë shtatorit e tetorit 1943, ajo ishte e detyruar t’u bindej urdhrave për bashkëpunim ose nënshtrim ndaj Ushtrisë Nacional Çlirimtare.

Pse Enveri mbajti peng mijëra inxhinierë italianë?
Lexo po ashtu Pse Enveri mbajti peng mijëra inxhinierë italianë?

Një pjesë e ushtarëve italian ishinë të vendosur të bashkëpunonin më Ushtrinë Nacional-Çlirimtare e të luftonin gjermanët. Por, një pjesë e madhe e tyre ishin të demoralizuar dhe nuk donin më të luftonin. Fati i tyre ishte nënshtrimi. Ata s’mund të ktheheshin në Itali. U çarmatosën të gjithë dhe u shpërndanë nëpër fshatra për të ndërtuar rrugë e shtëpi, për të punuar arat e fshatarëve dhe çdo punë tjetër që do të ishte e nevojshme.

Këta janë ushtarët grekë të zënë robër nga Enver Hoxha
Lexo po ashtu Këta janë ushtarët grekë të zënë robër nga Enver Hoxha

Ky shfrytëzim i detyruar dëshmohet në shumë dokumente të periudhës shtator-tetori 1943, prej të cilëve ne kemi zgjedhur katër prej tyre, ku mund të krijohet një panoramë e qartë e gjendjes së kësaj ushtrie pas kapitullimit dhe fatiti të ushtarëve italianë që refuzuan të luftojnë gjermanët.


————————————————-

Dokumenti i parë

KOMANDA E SHTABIT TË PËRGJITHSHËM

T’USHTRIS NACIONAL ÇLIRIMTARE SHQIPTARE

Data 11/IX/943

Komisarit Politik

shokut Mustafa Kaçaçi

Shoku Haki Fejzo na njofton se dy maqina me ushtarë italianë (dyzet vetë) që kanë dezertuar, kërkojnë të shkojnë në Burrel.

Të bani çmos që kta ushtarë t’i çoni në Çermënikë bashk me gjith materjalin që kanë. Të mos i çarmatosni rrugës.

Për Komandantin e Shtabit të Përgjith.

Komisari Politik

(Enver Hoxha)

P.S. Në Bizë ju pret shoku Sejdin Avdia për të marrë në dorzim ushtarët italianë që flitet sipër.

————————————————-

Dokumenti i dytë

KOMANDA E SHTABIT TË PËRGJITHËSHËM

T’USHTRISË NACIONAL-ÇLIRIMTARE

VDEKJE FASHIZMIT

LIRI POPULLIT!

Komandantit Kadri Hoxha,

Informohemi nga shoku Xhaferr Miraku se ushtrija italiane mbassi i ka dorëzue krejt materialin e randë gjermanëve, asht nisë për në drejtim të Shingjergjit. Nga ana jetër na lajmërojnë nga Elbasani se ushtrija italiane asht nisë për në drejtim të Bullgarisë mbassi i ka dorëzue krejt materialin gjermanëve, tue mbajtë me vehte vetëm pushkët me nga dhetë fyshekë secili. Si mbas informatave ushtrija italiane në fjalë përbahet prej 2500 vetash.

Në rasën e I-rë: duhet t’i merrni në dorëzim dhe t’i ftoni me luftue ndën komandën t’uej kundër gjermanëve. Në rasë se refuzojnë me luftue kundër gjermanëve, të çarmatosen dhe të dërgohen në nji vend të sigurt deri në nji urdhën të dyttë. Nuk duhet me qenë zemër-gjanë kundrejt asajë ushtrije që ka djegë katundet t’ona, ka vra luftëtarët ma të mirë t’Atdheut t’onë dhe ka vra edhe pleq e plaka, gra e fëmijë të pa fajshëm, të konsiderohen si robë lufte. Në qoftë se hyjnë në luftë kundër gjermanëve, të konsiderohen si aleatë në luftë kundër fashizmit gjerman

Në rasën e dytë: T’u pritet rruga e të çarmatosen e pastaj të lirohen të shkojnë në Bullgari në qoftë se nuk duen të luftojnë kundër gjermanëve. Të hetoni agjentat e S.I.M.-it dhe t’i pastroni.

Në qoftë se e çarmatosni ushtrinë, armë t’i siguroni në ndonji vend të sigurtë, mbassi na lypsen për formimin e brigadave. Mund t’i jepni ndonji armë vetëm atyne që janë të vendosun për luftë kundër gjermanëve deri në fund. Kini nji kujdes të veçantë: në qoftë se ushtrija ka radio transmetuese të merren me çdo kusht.

Të sulmoni me nji herë autokola gjermane, bashkë me italianët ose pa to; të prishni ura dhe vija telefonike e çdo gja që mund t’i shërbejë armikut. Të përfitoni nga rasa për me u armatosë dhe njikohësisht me damtue sa ma tepër anmikun okupator. Duhet ta dini se ma vonë gjermanët do të organizohen ma mirë, prandaj të përfitoni nga rasa në këte anarshi. Na jemi nji ushtri ofensive dhe si e tillë duhet të veprojmë.

Na njoftojnë se njerës të “Ballit Kombëtar” kanë dalë në Zaranikë dhe me forcë janë tue prishë këshillat nacional-çlirimtare, pushtetin demokratik të popullit; të merren masa ndëshkimi për inisiatorët, por tue mos harrue luftën kundër okupatorit, anmikut kryesor.
Të na njoftoni përfundimet.

Për komandën e Shtabit të Përgj.

(Ramadan Çitaku)

————————————————-

Dokumenti i tretë

KOMANDA E SHTABIT TË PËRGJITHSHËM

T’USHTRISË NACIONAL-ÇLIRIMTARE

SHQIPTARE

Data 1 Tetuer 1943

Gjithë Komandave të Grupeve t’Ushtris Nacional-Çlirimtare

Pas kapitullimit t’Italis, një pjesë e ushtris italjane që ndodhej në Shqipëri dolli në mal dhe pjesa tjetër u hoq prej gjermanëvet drejt fushave të përqëndrimit në Gjermani. Kjo ushtri italjane në mal natyrisht ësht një barrë për ne përsa i përket çështjes s’ushqymit etj; nga ana tjetër morali i tyre që s’ka qënë kurrë i lartë gjatë kësaj lufte, dhe në këto momente është mjaft i dobët. Me gjithë atë një pjesë e kësaj ushtrije, e çkëputur një herë e mirë nga robërija fashiste dhe e inkurajuar nga propaganda e partizanëvet, është e dispozuar të hyjë në luftë krahas me bataljonet t’ona, kurse pjesa tjetër nuk dëshiron të luftojë dhe do të shërbejë për punë ushtarake o civile në prapavijat.

Të gjithë ushtarët italjanë që ndodhen pranë trupavet t’ona t’i konsideroni si vëllezër arme dhe t’i inkurajoni ata që të marrin pjesë në luftime tok me ne kundra të njëjtit armik të vëndit të tyre dhe t’onë.

Të gjithë ata ushtarë të tjerë italjanë që janë ndaluar në rrugët për të mos i lënë në duart e gjermanëvet që i çonin në fushat e përqëndrimit, dhe gjatë këtyre aksionevet ata kanë kundërshtuar me armë forcat t’ona që lëftonin për t’i shpëtuar nga robërija, të çarmatosen dhe të mbahen ndër fusha. Ata oficera, karabinjera e ushtarë që provohet se kanë vrarë e torturuar shqiptarë, të mbahen në vërejtje të madhe deri në urdhërat t’ona.

Për sistemimin dhe organizimin e kësaj ushtrije të çrregulltë, lejuam formimin e një Komande të Trupave Italjane të Malit, e cila do të marri përsipër të rregullojë këtë ushtri të shpërndarë në të katrë anët e Shqipërisë. Kjo Komandë do t’a ketë qëndrën pranë Shtabit t’onë dhe përsa u përket veprimevet të përbashkëta dhe udhëzimevet për italjanët, ajo do t’i kryej passi t’i ketë diskutuar dhe të ketë marrë aprovimin e Komandës s’onë.

Kjo Komandë e malit po çon pra në çdo krahinë një oficer të deleguar për t’u dhënë direktivat dhe formuar Komandat italjane në çdo qark ku ka Komanda partizane. Bashkangjitur ju çojmë dhe nga një kopje të këtyre direktivavet që po u çohen ushtarëvet italjanë prej Komandës në fjalë.

Pra, tok me Komandën italjane që do të formohet në qarkun e juaj për të drejtuar forcat italjane, Komanda e Grupit t’uaj duhet të jetë në kontakt të përhershëm dhe në bashkëpunim të ngushtë përsa u përket aksionevet dhe çdo sendi tjetër.

Në Komandat italjane që do të formohen mund të propozoni dhe ju ndonjë nga oficerët italjanë që ka ardhë vullnetarisht në radhët t’ona e që është ambientuar me luftën partizane, që është më afër nesh dhe ushtarëvet italjanë. Kësisojit të jenë në Komandat italjane njerëz me të vërtetë të vendosur të lëftojnë, por këtë gjë nuk duhet t’a bëni me imponim, por me propozim dhe me pëlqimin e tyre.

Tok me këto Komanda do të veprohet për seleksionimin e ushtarëvet ndër ata që dëshirojnë me të vërtetë të lëftojnë dhe ndër ata që jo. Ata që do të lëftojnë, t’i lejohet Komandës italjane t’i sistemojë në formacion që ajo dëshiron dhe natyrisht që t’i përshtatet dhe taktikës së luftës s’onë. Këto formacione të jenë krahas me fuqitë t’ona dhe të hyjnë ndër aksione së toku.

Komandat e jona, kuptohet, do të jenë ato që do t’imponojnë vullnetin e luftës dhe t’aksionevet, duke iua parashtruar edhe atyre pllanin e veprimit, kur aksioni do të kryhet së toku.

Mundet që këto formacione italjane të kryejnë dhe aksione pa neve, por kurdoherë pllani i veprimit t’i jetë parashtruar Komandës s’onë dhe të ketë marrë vendimin e sajë.

S’ka asnjë dyshim që, një pjesës s’ushtarëvet që kanë ardhur në mal, në mos të tërëvet, iau keni marrë armët dhe keni armatosur njerëzit t’anë. Kjo është fare normale. Por tash me organizimin e këtyre ushtarëvet italjanë, që do të lëftojnë, me një pjesë armësh që mund të keni në dispozicion mund t’i armatosni dhe pjesa tjetër më e madhe që mund të ngelë pa armë, t’armatoset në aksione kundra gjermanëvet. Vetëm kësisoj mund të veproni, pse s’mund të çarmatosni njerëzit t’anë për të armatosur këta.

Të gjithë ata italjanë që nuk do të lëftojnë, dhe do të jenë një shumicë, t’i drejtoni në prapavijat për t’i futë në punë dhe të mos lihen me asnjë mënyrë të demoralizohen. Këta të vihen të ndreqin rrugët, qoftë dhe ato të fshatravet, të ndërtojnë kasollet e djegura, të punojnë dhe të mbjellin tokat e katundarëvet si dhe çdo shërbim tjetër. Mund të veproni duke i ndarë në ekipe prej 20-30 a më shumë vetash si mbas fshatit dhe këto ekipe t’ia ngjitni çdo katundi i cili t’i ushqejë dhe t’i fusi në shërbime të ndryshme. Nga ana tjetër të fusni një pjesë të madhe t’ushtarëvet në punime me karakter ushtarak, d.m.th. ndreqje rrugësh, llogoresh, instalime telefonash, radio etj.

T’iu theksohet italjanëvet se duhet të respektojnë ligjet e ushtris s’onë partizane dhe çdo shkelje të zakonevet t’ona nga ana e atyre do të dënohet rreptësisht.

Armët që kemi depozituar të bëhet ç’është e mundur që të ruhen dhe të mos shpërndahen kot së koti.

Vdekje Fashizmit – Liri Popullit

Komandanti Shtabit Përgjithshëm t’Ushtris Nacjonal-Çlirimtare Shqiptare

(Major Spiro Moisiu)

Komisari Politik

(Enver Hoxha)

————————————————-

Dokumenti 4

I dashtun Miço,

Këtu kemi 550 ushtarë italianë. Na lajmojnë se do të vijnë edhe të tjerë. Punën e këtyne duhet me e ba dishka të organizueme. Pjesën që nuk don me luftue duhet ta dërgojmë në prapavijat dhe mos vijoni me u thanë se do t’i dërgoni në Sarandë dhe prej andej në Itali. Nji gja e tillë kishte për të tërhjekë edhe pjesën që mund të luftonte kundër gjermanëve, kështu pra jemi tue ba nji sabotim të luftës. Nji gja e tillë asht vetëm nji fantazi. Lëvizja e jonë nuk merr nji barrë t’atillë përsipër, edhe sikur ta marri nuk i ka mjetet për t’i dërgue këta në Itali.

Ka shumë kohë që ju kemi kërkue pesë partizanë për me rregullue lidhjet dhe që të përdoren si kurir; ju jo vetëm që nuk i dërgoni këta, por përkundrazi na dërgoni ushtri dhe njerës me urdhna e për përcjellje, kështu që na duhet të bahemi kurirët e tyne. Mundoheni për me gjetë gjithnji rrugën ma të lehtë që të shpëtoni nga çdo punë, në qoftë se do të kishte edhe sakrificin ma të vogël. Ju keni në dispozicion bataljonin dhe çdo përcjellje do të bahet nga ana e juej dhe jo nga ne. Me kto lloj porosinash dhe punësh tueja jeni tue na pengue shumë punën t’onë, e cila nuk asht nji punë ndërlidhje.

As vendi ku banojmë nuk asht nji stacion postash. Ju porosisim për çdo ndërlidhje që do të bani me vende tjera e që ju takojnë thjesht juve, mos të na dërgohen ma këtu kurirët. Në qoftë se keni nevojë për të pasë nji vend ndërlidhje për punët tueja në mes të qytetit ose bataljoneve tjera si qendër ky vend, krijoni mundësitë nga ana e juej, por të mos vijnë ma në asnji mënyrë këtu, që të merremi na me dërgimin e nji partizani të sëmundë në qytet, me blerje plaçkash për bataljonin, me dërgimin e letrave për Dumre ose dhe për vende të tjera. Ky vend asht ba si han dhe për gjana ma të vogla dërgohet që të pyetemi na, ose partizanët që i dërgoni kërkojnë ndonji gja të tyne personale prej nesh.

Zgjidheni pra ju kët problem sa ma parë, që kështu punët si nga ana e juej, ashtu dhe nga ana e jonë të mos shkojnë në anarshi.

VDEKJE FASHIZMIT

LIRI POPULLIT

Të fala

Baca (Ramadan Çitaku)

/Shqiptarja/

Në trend Lajme

Më shumë
Përplasjet për doracakët

Përplasjet për doracakët "Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues", tri komunat që udhëhiqen nga opozita ndalojnë përdorimin e tyre

Lajme
Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Ndërron jetë nipi i Adem Grabovcit

Kronika e Zezë
KOMF: Nuk duhet të lejojmë asnjë lëvizje që synon largimin e edukatës seksuale nga shkollat tona

KOMF: Nuk duhet të lejojmë asnjë lëvizje që synon largimin e edukatës seksuale nga shkollat tona

Arsim
Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Meta nga burgu: Njerëz të SPAK më kanë sugjeruar të arratisem, s’ka akuzë zyrtare ndaj meje

Lajme
Ish e dashura i shkon në shtëpi dhe e sulmon fizikisht, prishtinasi e raporton në polici

Ish e dashura i shkon në shtëpi dhe e sulmon fizikisht, prishtinasi e raporton në polici

Kronika e Zezë
Doracakët për edukimin seksual - LVV, Abdixhikut: E keni goditur veten - kështu ndodhë kur preokupim nuk i keni fëmijët, por goditjen ndaj Qeverisë

Doracakët për edukimin seksual - LVV, Abdixhikut: E keni goditur veten - kështu ndodhë kur preokupim nuk i keni fëmijët, por goditjen ndaj Qeverisë

Lajme
Kalo në kategori