Kandidati për Asamble Komunale në Prizren nga radhët e PDK-së, Endrit Zogaj ka bërë të ditur se në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale, po zhvillon takime të përditshme me qytetarët e Prizrenit, duke dëgjuar nga afër vlerësimet dhe pritjet e tyre për mandatin e ardhshëm.

Zogaj thekson se gjatë këtyre ditëve janë takuar me pensionistë, punëtorë të arsimit, veteranë të UÇK-së dhe kategori të tjera, duke mbledhur komente e reflektime mbi punën e kryetarit aktual, Shaqir Totaj, gjatë katër viteve të fundit.


“Prizreni ka parë ndryshimin dhe e ka provuar qeverisjen me vizion, që punon pa u ndalur dhe vendos qytetarin në qendër,” u shpreh Zogaj.



Ai shtoi se qytetarët nuk duhet të japin vetëm besim, por një vlerësim të drejtë për punët e bëra deri tani.

“Ne nuk kërkojmë besim te qytetarët por vlerësim për punët e bëra! Ndryshe nga ata që për një mandat qeverisën komunën tonë e sot nuk kanë se çfarë të tregojnë, ne kemi projekte konkrete, rezultate të dukshme dhe plane të qarta për të ardhmen”, tha ai.

Zogaj ftoi qytetarët që t’i japin mbështetje Totajt dhe ekipit të tij për të vazhduar punën dhe zhvillimin e qytetit. /Telegrafi/