Ende aktiv zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës, 18 vatra të regjistruara në 24 orët e fundit

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 18 vatra zjarri në disa bashki të vendit, ku 2 prej tyre mbeten ende aktive dhe 2 të tjera janë nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përgjegjëse.
Vatrat janë evidentuar në territorin e bashkive Bulqizë, Dibër, Rrogozhinë, Përmet, Pogradec, Sarandë, Vlorë, Lezhë, Mirditë, Kurbin, Kuçovë, Berat, Librazhd, Fier dhe Malësi e Madhe.
Ndër zonat më problematike aktualisht është Parku Kombëtar i Lurës, në njësinë administrative Lurë, bashkia Dibër.
Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, vijon zjarri në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh.
Për shuarjen e tij janë angazhuar forca të shumta nga MZSH Dibër, Shërbimi Pyjor, strukturat vendore të bashkisë, Forcat e Armatosura si dhe mbështetje ajrore me helikopterin “Cougar”. Deri më tani, llogaritet se janë përfshirë nga flakët rreth 30 hektarë sipërfaqe.
Ndërhyrja po vijon edhe gjatë ditës së sotme me të njëjtat kapacitete, ndërsa rreziku për përhapje mbetet i pranishëm për shkak të terrenit dhe erës.
Ministria e Mbrojtjes apelon për kujdes nga qytetarët dhe njoftimin e menjëhershëm të çdo vatre zjarri, për të shmangur përhapjen e flakëve dhe dëmtimet në pasuri natyrore e njerëzore.
Qarku Tiranë
Në fshatin Zambish, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë, është punuar për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me dushqe. Gjatë ditës së djeshme zjarri ka marrë përmasa akoma dhe më të mëdha për shkak të erës dhe është përhapur edhe në fshatrat Berdal, Thartor dhe Moroj, duke rrezikuar banesat në disa momente. Në vendngjarje u angazhuan Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Rrogozhinë me 1 automjet zjarrfikës dhe 10 efektivë, 30 forca bashkiake, 20 forca vullnetare, si dhe 1 helikopter i Forcave të Armatosura. Ditën e sotme forcat operacionale po vazhdojnë punën në terren për fikjen përfundimtare të zjarrit.
Qarku Lezhë
Në kufirin midis fshatrave Skuraj dhe Gallatë, njësia administrative Milot, bashkia Kurbin. Në vendngjarje u angazhuan25 forca bashkiake, 20 forca policore, 6 forca nga Shërbimi Pyjor, 3 forca vullnetare dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, bënë krehjen e zonës. Terreni është i pjerrët dhe me shkurre. Vatra mbetet nën monitorimin e strukturave vendore. Sipërfaqe e djegur është rreth 23 ha.
Qarku Elbasan
Në vendin e quajtur “Mal Plak”, njësia Administrative Polis, bashkia Librazhd, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit tërënë në një sipërfaqe pyjore. Në vendngjarje u angazhuan Shërbimi vendor i MZSH Librazhd me 1 automjet zjarrfikëse dhe 8 efektivë, 3 inspektorë të pyjeve si edhe 10 forca vullnetare, të cilët punuan deri vonë për vënien nën kontroll të vatrës . Zjarri ka intesitet të ulët dhe vatra mbetet nën monitorimin e strukturave vendore.
Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur rreth 79 hektarë. Në një rast, në fshatin Tarazh, njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë zjarri ka rënë zjarr në një shtëpi private. Si pasojë, u dogj kuzhina dhe salloni i shtëpisë. Shkaku i rënies së zjarrit është i panjohur.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 26 automjete zjarrfikëse dhe 268 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë edhe Forcat e Armatosura me 60 efektivë dhe 2 helikopterë Cougar.
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëtanë qarkun Shkodër, ndërsa në qarqet e tjera nuk priten reshje.
Sa i përket zjarrëve në pyje, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier e Berat, dhe nivel rrezik “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera. Nё disa qarqe pritet rrezik “I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug) dhe Durrës (Verilindje). I gjithë sistemi i mbrojtjes civile vijon të jetë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të shpejtë.










































