Emërimi i kryetarit të komunës paralele, Fetoshi: Strategji e Serbisë për destabilizim në Kosovë

Emërimi i Sreqko Spasiqit si kryetar i komunës paralele serbe të Vitisë po shihet si një tjetër përpjekje e Serbisë për të ndërtuar një realitet paralel brenda territorit të Kosovës.
Sipas drejtorit të institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ky veprim ka efekt simbolik dhe politik, pasi synon t’u krijojë qytetarëve serbë përshtypjen se Serbia vazhdon të jetë struktura dominante në Kosovë.
Ai vlerëson se ky është një ndër rastet e shumta kur Beogradi, përmes Listës Serbe dhe strukturave paralele që veprojnë jashtë ligjshmërisë, përpiqet të minojë stabilitetin dhe funksionimin e institucioneve legjitime të Kosovës.
Këtë të hënë Qeveria e Serbisë ka emëruar Sreqko Spasiqin kryetar të komunës paralele serbe të Vitisë në Kosovë, pak ditë pasi ai kishte hequr dorë nga gara për kryetar të Kllokotit në balotazhin e 9 nëntorit të zgjedhjeve lokale në Kosovë, për ta mbështetur kandidatin e Listës Serbe.
Arben Fetoshi për KosovaPress thotë se një veprim i tillë është dëshmi e një tjetër ndërhyrjeje të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, e cila sipas tij përpiqet me çdo kusht që të ndërtojë bazat e destabilizimit të vendit.
“Është e paligjshme absolutisht, për shkak se është ndërhyrje. Në qoftë se Republika e Serbisë emëron një qytetar të Kosovës në krye të një komune paralele e cila de facto është e mbyllur nga autoritetet e Kosovës është ndërhyrje që ka për qëllim të krijojë një realitet paralel dhe që ka më tepër efekt simbolik për t’i bindur qytetarët serbë që Serbia është struktura dominante brenda Kosovës, duke marrë gjithmonë parasysh qëndrimin e saj mosnjohës ndaj Kosovës dhe faktin që nëpërmjet Kushtetutës vazhdon të ruaj agresionin territorial ndaj Kosovës”, thekson Fetoshi.
Spasiq nga Iniciativa Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb”, më 3 nëntor u kërkoi mbështetësve të tij që ta votojnë personin që në rundin e parë e dërgoi në balotazh, Bozhidar Dejanoviqin nga Lista Serbe.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë shpjegoi se zgjedhjet në Kllokot duhet të mbahen formalisht, sepse afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara ishte më 2 shtator, 2025.
Në rundin e parë, Spasiq kishte fituar 674 vota, ndërsa kandidati tjetër, Bozhidar Dejanoviq nga Lista Serbe 893 vota. E në rundin e dytë, ky i fundit kishte 948 vota, ndërsa Spasiq 105.
“Do të investoj të gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritashëm të ‘Unitetit Kombëtar Serb’, e tani anëtarët e Listës Serbe, në fitoren e Listës Serbe, nën numrin rendor 170, në këto zgjedhje lokale, si dhe në të gjitha zgjedhjet e ardhshme në këtë rajon”, tha Spasiq më 3 nëntor, kur njoftoi publikun se po tërhiqej.
Kjo lëvizje e Spasiqit, sipas Fetoshit tregon se Serbia tenton të destabilizojë Kosovën përmes Listës Serbe.
“Edhe një ndërhyrje tjetër kundër Kosovës nga ana e Serbisë, e cila përpiqet me çdo kusht të ndërtojë bazat e destabilizimit të vendit dhe konsiston përpjekjen që të përdorë segmente të dyfishta për ta minuar rendin kushtetues dhe legjitimitetin e institucioneve të Kosovës nëpërmjet Listës Serbe që është zyrtarisht pjesë e institucioneve në nivelin lokal dhe nëpërmjet të ashtuquajturave strukturave paralele të cilat funksionojnë ilegalisht në Republikën e Kosovës. Mendoj që kemi të bëjmë me një strategji e cila ndërton bazat e qëllimeve destabilizuese në Kosovë nga ana e Serbisë, në kontekstin e apetiteve të tyre territoriale”, thotë Fetoshi.
Sipas tij, është vetë Beogradi që me çdo kusht mundohet të pengojë integrimin e komunitetit serb në Kosovë, dhe këtë siç thotë ai, e bën përmes insturmentalizimit kundër rendit kushtetues dhe destabilizimit të Kosovës.
E karshi qasjes destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës, Fetoshi thotë se duhet të reagojë bashkësia ndërkombëtare.
“Është në vazhdën e presionit të vazhdueshëm mbi komunitetin serb, të cilin Beogradi vazhdon ta instrumentalizojë kundër rendit kushtetues dhe për destabilizim të Kosovës, ka qenë edhe një manovrim taktik që tregon se Beogradi nëpërmjet strukturave të veta përpiqet me çdo kusht dhe nuk lejon integrimin e komunitetit serb. Pra, kjo është sfida kryesore e Kosovës edhe në kuadër të procesit të dialogut dhe mendoj që gjithnjë e më tepër jepen shenja të qarta ndaj të cilave bashkësia ndërkombëtare, Brukseli zyrtar dhe SHBA-të do të duhej të rrisnin presionin mbi Beogradin me qëllim që të mos tolerohet edhe më tutje me akte të tilla të ndërhyrjeve në Kosovë”, nënvizon ai.
Spasiq u emërua në krye të Organit të Përkohshëm Komunal të Komunës së Vitisë, pavarësisht se kjo strukturë paralele ishte mbyllur nga autoritetet e Kosovës në fillim të këtij viti. /KP/

















































