LAJMI I FUNDIT:

“Ëmbëlsirë brenda një këpuce”, veprimi që për pak nuk shkaktoi incident diplomatik në mes Japonisë dhe Izraelit (Foto)

“Ëmbëlsirë brenda një këpuce”, veprimi që për pak nuk shkaktoi incident diplomatik në mes Japonisë dhe Izraelit (Foto)

Kryeministri japonez Shinzo Abe ishte për një vizitë zyrtare në Izrael. Por veprimi i një kuzhinieri në shtëpinë e kryeministrit izaelit Benjamin Netanjahu për pak sa nuk shkaktoi një incident të rëndë diplomatik mes dy shteteve.

Pasi hëngrën darkën, kuzhinieri Segev Moshe u serviri një ëmbëlsirë brenda një këpuce metalike, por ky veprim e ofendoi kreun e qeverisë japoneze.

Pas kësaj thuhet se kuzhinieri Moshe është shkarkuar nga detyra.


Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe bashkëshortja e tij Sara ftuan kreun e qeverisë së Japonisë Shinzo Abe për darkë në rezidencën e tyre në Jerusalem.

Një diplomate japoneze i tha gazetës “Yedioth Ahronoth” në gjuhën hebraike se çfarëdo që kishte menduar Moshe me këtë veprim ishte një budallallëk i vërtetë.

“Nuk ka kulturë në botë që vendos këpucë në një tryezë”, tha diplomatja e paidentifikuar, përcjell noa.al.

“Nuk mund ta kuptojmë atë që ai po përpiqej të thoshte me këtë veprim. Nëse është humor atëherë nuk mendojmë se është për të qeshur. Mund t’ju themi se jemi ofenduar, kjo në emër të kryeministrit tonë”.

Një diplomat i lartë izraelit i cili kishte shërbyer në Japoni i tha “Yedioth” se zgjedhja e pazakontë ishte “një vendim memec dhe i pandjeshëm”.

“Nuk ka asgjë më të neveritshme në kulturën japoneze sesa një këpucë”, vazhdoi diplomati. “Jo vetëm që nuk hyjnë në shtëpitë e tyre me këpucë, por as në zyrat e tyre”.

“Edhe kryeministri, ministrat dhe anëtarët e parlamentit, hyjnë në zyrat e tyre pa këpucë. Ky është një dështim dhe tallje diplomatike. Është njësoj sikur tu serviret një çokollatë hebrenjve brenda një anijeje në formën e një derri”, tha ai.

Një burim i afërt me Segev shpjegoi se ëmbëlsira nuk ishte shërbyer në një këpucë të vërtetë, por në një skulpturë metalike nga dizajni industrial Tom Dixon.