Fundit i ndeshjes mes Milanit dhe Lazios në javën e 13-të të Serie A ishte tejet dramatik. Një situatë e dyshimtë për penallti, e cila mund t’i kishte hequr menjëherë epërsinë kuqezinjve dhe t’i jepte mundësinë Lazios të barazonte, u analizua gjatë nga gjyqtarët dhe më pas nga ekspertët. Ndeshja përfundoi me fitoren e Milanit 1-0.

Në kohën shtesë të pjesës së dytë, topi goditi dorën e Strahinja Pavlovicit gjatë një aksioni të zakonshëm. Gjyqtari kryesor Giuseppe Collu lejoi lojën të vazhdonte, duke vlerësuar se nuk kishte ndërhyrje të parregullt.


Më pas, VAR e thirri gjyqtarin në monitor për rishikim, ndërkohë që pak çaste më parë Collu kishte përjashtuar me karton të kuq Massimiliano Allegrin për ndërhyrje dhe protesta. Pas rishikimit, gjyqtari konfirmoi vendimin fillestar: nuk kishte penallti dhe nuk kishte faull nga Adam Marusic.

Reagimi i Lazios ishte i ashpër – klubi refuzoi të paraqitej para mediave, duke theksuar se askush në klub nuk pajtohej me vendimin e gjyqtarit. Edhe mediat italiane e vunë në qendër të debatit këtë episod.

Eksperti i DAZN dhe ish-gjyqtari i Serie A, Luca Marelli, tha se vendimi i Collut ishte i drejtë, por ai identifikoi një gabim në mënyrën se si arbitri e trajtoi aksionin.

“Collu mori vendimin e saktë, por me qasje të gabuar. Pavlovic dhe Marusic po e mbanin njëri-tjetrin, ndaj për mua nuk kishte faull. Po ashtu, nuk ishte as penallti për shkak të prekjes së topit me dorë – Pavlovici ishte me shpinë nga loja dhe shumë afër Romagnolit”, deklaroi Marelli.

Ai shtoi se dora e mbrojtësit serb ishte në pozicion natyral dhe nuk lëvizi drejt topit.

“Edhe nëse Romagnoli do të kishte shënuar në atë aksion, VAR nuk do të kishte ndërhyrë, sepse nuk kishte asnjë shkelje nga Marusic ndaj Pavlovivit”, përfundoi eksperti.

Sipas tij, gabimi i vetëm ishte mënyra se si arbitri e interpretoi mbajtjen mes lojtarëve, por jo vendimi final – i cili mbeti i saktë. /Telegrafi/

telegrafi sport app