Sot është Dita Botërore e Edukimit Mjedisor. Kjo ditë shënohet për të vënë në pah rëndësinë e edukimit që u mundëson individëve të eksplorojnë natyrën, të identifikojnë problemet mjedisore dhe të përfshihen aktivisht në zgjidhjen problemeve aktuale mjedisore dhe parandalimin e atyre që mund të shfaqen në të ardhmen

Dr. Zeqir Veselaj,
Ligjërues i edukimit mjedisor në Universitetin e Prishtinës


Edukimi mjedisor krijon qytetarë të vetëdijshëm dhe aktivë, të përkushtuar ndaj ruajtjes së natyrës dhe mjedisit të shëndetshëm. William Stapp ka dhënë përkufizimin e parë shkencor duke e lidhur me qëllimin se: “edukimi mjedisor ka qëllim përgatitjen e një qytetari që është i ditur në lidhje me mjedisin e tij jetësor dhe problemet e lidhura me të, që është i vetëdijshëm se mund dhe duhet të ndihmojë dhe që është i motivuar të punoj aktivisht drejt zgjidhjes së problemeve”. Cornelius Troost e përkufizon qëllimin e edukimit mjedisor për “ta prodhuar një qytetar aktiv dhe ekologjikisht të orientuar. Qytetari aktiv sipas tij është i përfshirë personalisht në vendime dhe praktika në lidhje me bashkëveprimin e njeriut me mjedisin. Ndërsa një qytetar ekologjikisht i orientuar është një person vlerat dhe qëndrimet e të cilit janë dashamirëse për përdorimin e përgjegjshëm të burimeve të Tokës.

Shkathtësitë e gjelbra për qëndrueshmërinë mjedisore

Kurrikulat kombëtare në shumicën e vendeve evropiane janë duke plotësuar edukimin mjedisor me ato që tashmë njihen si shkathtësitë e gjelbra. Shkathtësitë e gjelbra përgjithësisht mund të përkufizohen si “njohuri, aftësi, vlera dhe qëndrime të nevojshme për të jetuar, zhvilluar dhe mbështetur një shoqëri që e zvogëlon ndikimin negativ të aktivitetit njerëzor në mjedis”. Nga përkufizimi shihet se janë disa koncepte bazë brenda këtij përkufizimi. Njohuria bazike mjedisore (angl. environmental literacy) paraqet në thelb aftësinë e nxënësve për ta perceptuar dhe interpretuar gjendjen relative të sistemeve mjedisore dhe për t’i ndërmarrë veprimet e duhura për ta ruajtur, rivendosur ose përmirësuar shëndetin e atyre sistemeve. Njohuria mjedisore, për më tepër është një koncept i cili i përfshinë të gjitha informacionet dhe kuptimet njohëse të mjedisit dhe problemeve të lidhura me të. Vlerat mjedisore janë ndjenjat tona për ruajtjen e natyrës në tërësi dhe i referohen mënyrave të ndryshme se si njerëzit e vlerësojnë mjedisin natyror dhe atë të krijuar. Këto vlera përfshijnë vlerat funksionale, kulturore e morale dhe variojnë nga përfitimet praktike të ofruara nga ekosistemet e deri te rëndësia kulturore e etike e natyrës për jetën e njeriut. Qëndrimet për mjedisin i referohen një sërë vlerash dhe ndjenjash shqetësuese të individit për mjedisin dhe problemet mjedisore, përfshirë motivimin për pjesëmarrje aktive në mbrojtjen dhe përmirësimin e kushteve të mjedisit.

Korniza Evropiane e Shkathtësive të Gjelbra

Në vitin 2022, BE-ja ka zhvilluar Kornizën Evropiane të Kompetencave të Qëndrueshmërisë. Korniza paraqet kuadrin evropian të kompetencave për qëndrueshmëri si një nga veprimet politike të përcaktuara në European Green Deal dhe shërben si një katalizator për të promovuar të nxënit mbi qëndrueshmërinë mjedisore në BE. Korniza identifikon një sërë kompetencash për qëndrueshmërinë mjedisore për t'u përfshirë në programet arsimore për të ndihmuar nxënësit të zhvillojnë njohuri, aftësi dhe qëndrime që promovojnë mënyra për të menduar, planifikuar dhe vepruar me empati, përgjegjësi dhe kujdes për planetin dhe për shëndetin publik. Korniza ndër të tjera ofron një referencë të përbashkët që mund ta përdorin, ndajnë dhe konsultojnë të gjithë individët e përfshirë në mësimdhënien dhe trajnimin për shkathtësië e qëndrueshmërisë mjedisore, si dhe një kontribut për të ndihmuar në bërjen e kompetencave të gjelbra të transferueshme brenda BE-së. Korniza gjithashtu paraqet një model të fushave dhe kompetencave të qëndrueshmërisë si dhe ofron një listë fillestare të njohurive, aftësive dhe qëndrimeve që përbëjnë kompetencat, së bashku me shembuj se si nxënësit dhe studentët t'i zbatojmë ato në praktikë. Grupet e kompetencave brenda kësaj kornize asociohen me bletën si qenien e gjallë më të pastër dhe më të shëndetshme në natyrë.

Grupi i parë i shkathtësive është ai i Përfaqësimit të vlerave të qëndrueshmërisë. Për të mbrojtur mjedisin së pari duhet t`ia dish dhe pranosh vlerën. Këtu bëjnë pjesë shkathtësi si: vlerësimi i qëndrueshmërisë, promovimi i natyrës dhe mbështetja e drejtësisë mjedisore. Ky grup asociohet me kosheren e bletëve e cila është shtëpia-mjedisi që i mban bletët të sigurta dhe iu ofron kushtet themelore për jetë. Ne kemi mjedisin jetësor të përbashkët që e ndajmë me të tjerët prandaj duhet ta vlerësojm dhe respektojmë për gjithçka që na jep bazuar në drejtësinë mjedisore. Por a ka drejtësi mjedisore, a janë të ndara njëjtë resurset natyrore në botë. Sigurisht se jo. Vendet e varfëra të botës edhe pse nominalisht kontribuojnë më së paku në ndryshimet klimatike, bartin pasojat më të rënda nga to. Apo fëmijët që më së paku kanë faj për ndotjen dhe degradimin e sotëm, bartin pasojat mjedisore më së shpejti në kohë, më së rëndi në pasoja dhe më afatagjatë në të ardhmen. A na e kanë këtë borxh fëmijët tanë? Jo!

Grupi i dytë i shkathtësive, Përqafimi i kompleksitetit të qëndrueshmërisë, kërkon të kuptohet se problemet e qëndrueshmërisë janë shumë komplekse dhe si të tilla për zgjidhje duhet t`ju qasemi në mënyrë holistike, sistemike dhe kritike. Ky grup përbëhet nga tre shkathtësi: të menduarit sistemik, të menduarit kritik dhe kornizimi i problemeve. Këto shkathtësi asociohen me polenin dhe nektarin si marrëdhënie komplekse. Bletët tërhiqen nga ngjyra dhe aroma e luleve për të mbledhur ushqim (nektarin) për koloninë e tyre, duke zhvendosur instiktivisht kokërrzat e polenit nga një lule në tjetrën për t`ju mundësuar polenizimin. Bletët, lulet dhe poleni varen nga njëra-tjetra për të siguruar që bimët dhe bletët të mbijetojnë. Nëse nuk ka lule nuk ka nektar, por nëse nuk ka nektar, bletët nuk mund të prodhojnë ushqim dhe mjaltë.

Grupi i tretë i shakthtësive është Parashikimi të ardhmes së qëndrueshme. Ky grup përfshinë njohuritë për të ardhmet e mundshme dhe të dëshiruara, përshtatshmërinë në ndryshime dhe të menduarit eksplorues. Ky grup është sinonim i lules. Lulet janë organe reproduktive të bimëve farëveshura që prodhojnë fruta, brenda të cilave krijohen fara. Fara e vazhdon jetën e bimës nga gjenerata në gjeneratë. Pra ne duhet të mendojmë për të sotmen, si edhe për të ardhmen e gjeneratave që vijnë pas nesh, duke eksploruar për një të ardhme pozitive. Problemet e sotme mjedisore kanë një të kaluar, një histori ashtu siç e kanë edhe një të ardhme. Ne mësojmë nga përvojat e kaluara se si është trajtuar mjedisi por edhe hedhim farën sot se si do ta trajtojnë mjedisin fëmijët tanë dhe gjeneratat që do vijnë pas tyre. Dhe si çdo qenie e gjallë, ne duhet të përshtatemi në një planet që po ndryshon kryesisht si pasojë e veprimeve tona dhe stilit tonë të jetesës.

Grupi i katërt i kompetencave është ai i Të vepruarit për qëndrueshmëri. Ky grup përfaqëson kompetencat e nxënësve të sotëm dhe qytetarëve të nesërm si agjentë të ndryshimit, si pjesë të veprimit kolektiv dhe nismëtar individual për mbrojtjen dhe përmirësimi e mjedisit. Ky grup kompetencash asocohet me bletët, si organizma që funksionojnë si një grup ashtu edhe sikurse një organizëm individual. Çdo individ blete është thelbësor për funksionimin e kolonisë: njëri mbledh nektarin, tjetri mbron kosheren, mbretëreshat riprodhohen. Këta individ bashkëpunojnë me të tjerët vazhdimisht dhe ngushtësisht për t’i përmbushur objektivat e përbashkëta duke ditur dhe zbatuar përpikërisht detyrat dhe përgjegjësitë e veta.

Mëso gjelbër për Kosovën

Nxënësit kosovarë duhet të edukohen dhe pajisen me shkathtësitë e gjelbra për jetën, ashtu siç e kërkon edhe Korniza Kurrikulare, në mënyrë që t`i bëj ata kontribues produktiv për të ardhmen e qëndrueshme të zhvillimit socio-ekonomik dhe ekologjik të vendit. Mentalitet i jetës së bletës duhet të bëhet rrugë e jetës dhe të vepruarit për një jetë të qëndrueshme. Një projekt i përbashkët i UNICEF- Zyra në Kosovë dhe Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë ka bërë hapat e parë të inkorporimit të shkathtësive të gjelbra në kurrikulat shkollore. Është bërë fillimisht një analizë se a ekzistojnë dispozita kurrikulare të cilat ndërlidhen me Kornizën Evropiane të Shkathtësive të Gjelbra. Mbi bazën e saj është përgatitur një listë preliminare e shkathtësive të gjelbra që mund të integrohen nga mësimdhënësit kosovarë në proceset mësimore. Bazuar mbi materialet trajnuese mbi shkathtësitë e gjelbra, janë trajnuar si fazë pilotuese rreth 200 mësimdhënës dhe student-mësimdhënës se si mund t`i zbatojnë udhëzimet në procesin e mësimdhënies për qëndrueshmërinë mjedisore dhe si të pajisin nxënësit me shkathtësitë e gjelbra të nevojshme në jetën dhe profesionet e tyre. Sepse, ata në fund do të kenë fatin në dorë që të ballafaqohen me pasojat e kësaj që kemi krijuar me qasjen tonë ndaj mjedisit si dhe mundësitë e një ndryshim pozitiv për të ardhmen. Prandaj duhet të fillojmë sot, jo nesër. /Telegrafi/