Skuadra e Arsimit nga Gostivari nuk arriti të përfitojë në terrenin vendas, duke u mposhtur 0-2 nga AP Brera në kuadër të javës së 18-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut. Në një ndeshje ku vendasit patën periudha të mira loje dhe iniciativë, ishin mysafirët ata që treguan më shumë konkretizim dhe morën tre pikët, njofton Telergrafi.

Pjesa e parë ishte dinamike dhe me ritëm të lartë. Arsimi tentoi të krijojë raste, por goditjen e parë vendimtare e dha Brera. Në minutën e 23-të, Leonardo Petroviq depërtoi bukur nga krahu i majtë, hyri në zonë dhe realizoi me një goditje të saktë për 0-1, rezultat me të cilin u mbyll edhe fraksioni i parë.


Në fillim të pjesës së dytë, mysafirët rrezikuan sërish, por Arsimi reagoi dhe mori iniciativën. Vendasit shtuan presionin, krijuan disa situata të rrezikshme dhe madje goditën edhe shtyllën. Remzifaik Selmani provoi me kokë, por pa sukses, ndërsa përpjekjet e njëpasnjëshme nuk u kurorëzuan me gol.

Në momentet kur Arsimi po kërkonte me ngulm barazimin, Brera goditi në kundërsulm në minutën e 93-të për 0-2, duke vulosur fatin e takimit.

Pas kësaj fitoreje, Brera Strumica arrin në kuotën e 23 pikëve, ndërsa Arsimi mbetet me një pikë më pak dhe pozicionohet i shtati në renditje. Në xhiron e ardhshme, Arsimi do të ketë një sfidë të vështirë si mysafir ndaj FC Shkupi, ekip që vjen pas humbjes 3-0 në transfertë ndaj Makedonija Gjorçe Petrov dhe do të kërkojë reagim.

Java e 18-t mbyllet të martën, më 17 shkurt, me duelin mes Bashkimit dhe Pelisterit, që nis në ora 14:00. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app