E vërteta tronditëse pas artit historik anatomik

Për shekuj me radhë, trupat e vërtetë të të vdekurve kanë frymëzuar ilustruesit shkencorë dhe artistët e mëdhenj në krijimin e veprave të detajuara dhe të bukura artistike. Por, historitë që fshihen pas këtyre kufomave - dhe mënyra si janë përfituar - janë të errëta dhe makabre, siç zbulon një ekspozitë e re.
Nga: Deborah Nicholls-Lee / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Trupi i tij duket si prej mermeri gri të gdhendur, çdo muskul i përshkruar në mënyrë të përsosur. Por, figura që sjell në dritë piktura Mësimi i anatomisë nga Nikolas Tulpi (1632) e Rembrandtit, nuk është ndonjë hero nga antikiteti grek. Ai është një kriminel i ekzekutuar, të cilit i bëhej autopsia në një teatër anatomik. Krimi i tij? Vjedhja e një palltoje dimërore.
Paralajmërim: Ky artikull përmban imazhe dhe detaje të cilat disa lexues mund t’i konsiderojnë shqetësuese
Duke përfshirë pesë shekuj, të vdekurit në gravurat anatomike që aktualisht po shfaqen në ekspozitën Nën çarçafë: Anatomia, arti dhe pushteti - në Muzeun Thekri të Mjekësisë në qytetin e Lidsit në Mbretërinë e Bashkuar - janë realizuar gjithashtu me përpikëri. Këto figura, kryesisht anonime, të paraqitura me organe të brendshme, ilustronin atlaset mjekësore që dikur konsultoheshin nga mjekët dhe anatomistët ose që ekspozoheshin si trofe nga koleksionistët e pasur. Dhe, si Adriaan Adriaanszooni, hajduti i vogël i pikturuar nga Rembrandti, asnjëri prej tyre nuk kishte dhënë pëlqimin që imazhet e trupave të tyre të zhveshur dhe të gjymtuar të përfshiheshin në një libër ose të ekspozoheshin në një mur.

“Nën çarçafë sfidon vizitorët të pyesin: trupat e kujt përfshihen në tekstet anatomike, kush i ka vizatuar dhe pse”, thotë për BBC-në, Jamie Taylor, drejtori i koleksioneve, mësimit dhe programit në muze. “Trupat e paraqitur në këto faqe u përkasin njerëzve të cilët përgjatë historisë kanë qenë të shtypur, të drejtat e të cilëve janë konsideruar dytësore, të papërfillshme ose të injoruara”.
Një libër anatomie pa vizatime nuk është “më i mirë se një libër gjeografie pa hartat e tij”, ka thënë kirurgu dhe ilustruesi anatomik i shekullit XVIII, John Bell. Gravurat e tij të ndërlikuara me hijezime, përhapën njohuri të detajuara për trupin që pak vetë kishin parë jashtë një teatri anatomik. Por, një vështrim më i afërt mbi ilustrimet e tilla zbulon jo vetëm ndryshimin e botëkuptimit tonë për trupin e njeriut, por edhe kontekstin kulturor në të cilin u krijuan këto imazhe.
Veçanërisht informues, dhe që shfaqet në fillim në ekspozitë, është kopertina e zbukuruar e librit De Humani Corporis Fabrica (1543), nga Andreas Vesalius - teksti i parë madhor që tregon anatominë e njeriut të vizatuar drejtpërdrejt nga trupat që u bëhej autopsia. Në një teatër anatomik të mbushur me njerëz, autori, gjithmonë drejtues i shfaqjes, kryen autopsinë mbi një punëtore seksi të ekzekutuar - bisturi i tij zbulon, për një audiencë kryesisht mashkullore, nëse gruaja ishte shtatzënë, siç ajo kishte pohuar në lutjen e saj për mëshirë.

Dallimi në status shoqëror dhe pushtet midis kirurgut dhe subjektit vështirë ka mundur të jetë më i theksuar, dhe tregu për këta libra të ndërlikuar të ilustruar, siç tregohet në ekspozitë, ishte “në skajin e kundërt të spektrit ekonomik të njerëzve të paraqitur në faqet e tyre”.
Librat mjekësorë u bënë veçanërisht luksozë kur zhvillimet në litografi, në shekullin XIX, përmbytën faqet me ngjyra të ndezura. Botimi i muzeut, Atlasi i plotë i anatomisë njerëzore dhe kirurgjisë (1866), nga JM Bourgery - i ilustruar në mënyrë madhështore - rrallëherë është prekur, thotë për BBC-në, Dr Jack Gann, kurator i ekspozitës. Ata që mund t’i përballonin këto vepra, thotë ai, “do t’i kishin ekspozuar në shtëpitë e veta bashkë me koleksionet e tyre të artit”.
Ndonjëherë, vetë kufoma bëhej objekt arti për ekspozim. Mungesa e kontrollit që shumë gra kishin mbi atë që ndodhte me trupin e tyre pas vdekjes, dhe roli ogurzi që disa praktikues të respektuar të mjekësisë luajtën në këtë, përfaqësohet në rastin e Mary Billionit. Ajo vdiq në vitin 1775 dhe u balsamos nga burri i saj, dentisti Martin van Butchell, me ndihmën e kirurgut të respektuar londinez William Hunter - ish-mësues i tij dhe autor i një libri të ilustruar për trupa shtatzënë, i lavdëruar për realizmin e tij të pashembullt. Duke shpresuar të tërhiqte klientë të rinj, Van Butchelli veshi Billionin me fustanin e nusërisë dhe e ekspozoi atë në dritaren e klinikës dhe të shtëpisë së tij në Mejfer, derisa gruaja e tij e dytë kërkoi që trupi të zhvendosej në një muze.
Arti dhe shkenca anatomike kanë një lidhje të gjatë. Në Italinë e Rilindjes, Leonardo da Vinci dhe Michelangelo bënë studime të autopsisë së trupave në morg për të ndihmuar që figurat në pikturat e tyre të ishin më realiste, ndërsa atlaset e hershme anatomike paraqitnin trupa në poza të stilizuara si reminishencë për skulpturat klasike. Anatomia e trupit njerëzor (1741) nga William Cheselden, për shembull, përfshin dy figura pa lëkurë që përleshen si Herkuli dhe Antaeu.

Për shkencëtarët dhe njësoj për artistët, sfida më e madhe ishte qasja në trupa, e përkeqësuar nga Akti i Gjykimit të Vdekjes i vitit 1823 i cili uli numrin e krimeve të dënueshme me vdekje. U krijua një treg i zi fitimprurës për kufoma, me vjedhës të trupave të quajtur “burrat e ringjalljes”, që vidhnin kufoma nga varre të freskëta dhe i shisnin në shkolla mjekësore për shuma të majme.
Për t’i penguar ata, ata që kishin mundësi i varrosnin të dashurit e tyre në kafaze të njohura si “mortsejf”, ose vendosnin gurë të rëndë mbi vendin e varrit. Për kriminelët e dënuar dhe të varfrit, pushimi në paqe ishte më i pasigurt. Të afërmit e hajdutit të rrugëve, John Worthington, i ekzekutuar në vitin 1815, ndërmorën hapin e jashtëzakonshëm të përvëlimit të trupit të tij me acid për t’u siguruar që të mos ishte i përshtatshëm për autopsi.
William Hare dhe William Burke u bënë vrasësit më famëkeq serialë të Skocisë. Ata iu drejtuan të gjallëve në vend të të vdekurve, duke kryer një fushatë vrasjesh prej 10 muajsh midis viteve 1827 dhe 1828, me qëllim për të furnizuar me kufoma shkollën e anatomisë në Edinburg të mjekut Robert Knox. Mary Paterson, ish-banore e një institucioni për gratë “e rëna”, trupi i vdekur së cilës ishte çuditërisht i ngrohtë në momentin e mbërritjes, u deh me uiski nga agresorët e saj, përpara se të ruhej në të për tre muaj nga Knoxi.

Ligji më në fund i kapi vrasësit e saj. Megjithëse Hare u lirua në këmbim të dëshmisë, bashkëpunëtori i tij kishte më pak fat. Gjykatësi David Boyle e dënoi me vdekje në litar dhe shpalli se Burke, si viktimat e tij, do të “pritej dhe anatomizohej publikisht”. Skeleti i tij tani është i varur në Muzeun Anatomik të Universitetit të Edinburgut.
Në Muzeun Thekri të Mjekësisë, trupi i Patersonit është gjithashtu në ekspozim, por si vizatim - etika për të cilën u debatua fuqishëm nga ekipi i kuratorëve. Ajo është vizatuar si Venera e Rokbit e Velázquezit, thekson Ganni. “Është një imazh shumë sensual”, por gjithashtu, thotë ai, “është trupi i vdekur i një viktime vrasjeje që vazhdon ende të shfrytëzohet”.
Trupat e idealizuar dominojnë këta libra mjekësorë, duke mjegulluar kufijtë midis shkencës, artit dhe erotikës, dhe duke ofruar njohuri mbi preferencat dhe shqetësimet e krijuesve të tyre. Në një nga ilustrimet më të ndjeshme të Nicolas Henri Jacobit për anatomistin Bourgery, shkëputja nga shkenca vihet në dyshim ndërsa dy palë duar meshkujsh, të padukshme, prekin gjoksin e prerë të një gruaje të re, flokët e së cilës janë stiluar si të një bukurosheje greke të lashtësisë.

“Imazhet anatomike lëshonin nxehtësi, ofronin kënaqësi për burrat që i realizonin, i sodisnin dhe i studionin”, pohon Michael Sappol në Anatominë perverse (2024). Për kirurgun dhe artistin Joseph Maclise, ajo “soditje” ishte perverse, pohon Sappoli. Vepra kryesore e Macliseit, Anatomia kirurgjike (1851), dominohet nga burra në poza të paqarta: krahët e tyre muskulorë të ngritur në mënyrë nënshtruese pas kokës, për shembull, ose goja e tyre e hapur në një mënyrë që mund të interpretohej si kënaqësi. Është e mundur, propozon Sappoli në një ese të vitit 2021, “që paraqitjet e Macliseit, në një mënyrë perverse dhe të fshehur - ndoshta as vetë Maclise nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm ... ishin një hapësirë në të cilën ai e zbulonte veten, dërgonte sinjale të dëshirës homoerotike”.
“Njerëzit perceptojnë se një ilustrim anatomik është paraqitje objektive e trupit të njeriut, sipas aftësive më të mira të artistit”, thotë Ganni, gjë që ekspozita synon ta “shpërbëjë”. “Në të vërtetë, ato i nënshtrohen kulturës, shijeve dhe lëvizjeve artistike si çdo formë tjetër arti dhe ilustrimi.”. Një figurë e zezë pa emër në librin e Macliseit, që mendohet të jetë i vetmi trup i zi në veprat anatomike të periudhës, është një shembull i qartë meqë u hoq nga botimi i krijuar për Amerikën para-abolicioniste.
Përshkrimi i tij, vëren Keren Rosa Hammerschlag në esenë e saj të vitit 2021, Apoloni i zi: Estetika, autopsia dhe raca në Anatominë kirurgjike të Xhozef Meklajsit, është “dukshëm e estetizuar, duke e vendosur atë në dialog me statujat klasike si Apoloni Belvedere, realizimet ‘e larta’ të artit nga vëllai i Josephit, Daniel Maclise, imazhet e boksierëve të zinj dhe pamjet nga lëvizja abolicioniste e kohës”.

Brenda një dekade nga Maclisei, vepra e njohur Anatomia e Greit nga Henry Gray, e ilustruar nga Henry Vandyke Carter, do të vendoste më në fund një burim të përballueshëm në duart e studentëve të mjekësisë, ndonëse edhe ajo bazohej në trupat që nuk tërhiqeshin nga shtëpitë e kujdesit dhe spitalet. “Ka një heshtje në qendër të Grayt, siç ndodh në të gjithë librat e anatomisë, që lidhet me të pashprehshmen”, shkruan Ruth Richardson në Krijimi i Anatomisë së z. Grej. “Si imazhe të prodhuara në masë, [trupat e këtyre njerëzve] kanë hyrë në trurin e brezave të të gjallëve ... Dhe, askund përveçse në imazhet e Carterit ata nuk kanë një kujtesë për ta”.
Përdorimi i viktimave pa zë për ta çuar përpara shkencën mjekësore, vazhdoi në shekullin XX. Për shembull, Atlasi i anatomisë topografike dhe të aplikuar të njeriut (1937) i Eduard Pernkopfit, që ende përdoret nga disa kirurgë sot, përmban një të burgosur lufte autopsinë e të cilit e bënë mjekë nazistët që punonin nën regjimin e Hitlerit.
Gjashtëdhjetë vjet më vonë, në prag të mijëvjeçarit, një arkiv digjital i të gjithë trupit të njeriut, i krijuar nga The Visible Human Project, u publikua në Atlasin e ri të anatomisë njerëzore të Thomas McCrackenit. Imazhet 3D u formuan nga qindra prerje një milimetërshe të trupit të Joseph Paul Jerniganit, një vrasës nga Teksasi, i ekzekutuar me injeksion vdekjeprurës në vitin 1993. Edhe pse ai ishte pajtuar të dhuronte trupin e tij për shkencën mjekësore, nuk mund ta kishte parashikuar një të ardhme kaq të dukshme për të. “Ky është një set i madh të dhënash që ende është i qasshëm për njerëzit sot”, thotë Ganni, i cili e përmbyll ekspozitën me pyetjen: “Sa larg kemi ardhur, në të vërtetë”? /Telegrafi/




















































