E pazakontë: Ndalohet një grua në Aeroportin e Prishtinës, iu gjet armë zjarri në bagazh

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar një grua në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi gjatë kontrollit të bagazhit të saj është zbuluar një armë zjarri.
Sipas raportit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 14 tetor 2025, në zonën e nisjeve të aeroportit.
“Gjatë kontrollit tek gjërat personale si dhe në bagazhin e pasagjeres femër kosovare, nga zyrtarët e X-Ray-it është detektuar një armë zjarri. Policia e Kosovës kësaj informate i është përgjigjur menjëherë në vendngjarje, me ç’rast pas hapjes së bagazhit në prezencën e të dyshuarës është gjetur arma e zjarrit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka bërë të ditur se pas ndërhyrjes, arma është konfiskuar, ndërsa ndaj të dyshuarës është inicuar rast penal për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, me vendim të prokurorit kujdestar.
Hetimet rreth rastit janë duke vazhduar.

















































