E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane vizitoi Klubin e Biznesit, u bisedua për forcimin e bashkëpunimit ekonomik SHBA-Kosovë

Klubin e Biznesit e ka vizituar sot znj. Anu Prattipati, e ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, në selinë qendrore të kompanisë Viva Fresh- e cila është nga themeluesi i saj, Xhevdet Rexhepi.
Në njoftimin e Klubit të Biznesit thuhet se në këtë takim, gjatë diskutimeve të frytshme me anëtarët themelues të Klubit të Biznesit, u trajtuan sfidat kryesore me të cilat përballet sektori ekonomik i Kosovës.
“Gjithashtu, u theksua nevoja për mbështetje më të fortë institucionale dhe u eksploruan mënyrat për të forcuar bashkëpunimin ekonomik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, përfshirë këtu, heqjen e barrierave si tarifa për të mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, anëtarët e Klubit të Biznesit luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur inovacionin, investimet dhe punësimin në sektorë të ndryshëm.
Klubi i Biznesit e falënderon Ambasadën Amerikane për përkrahjen dhe angazhimin e vazhdueshëm me sektorin privat të Kosovës.
“Vizita përfshiu edhe një tour në ambientet mbresëlënëse të Viva Fresh – një shembull frymëzues i ndërmarrësisë dhe suksesit vendor”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


















































