E kryer, Emir Sahiti drejt Izraelit: Mësohen detajet e marrëveshjes për klubin e ri

Sulmuesi i krahut Emir Sahiti është rrugës për në Izrael, ku do të nënshkruajë me skuadrën e famshme Maccabi Tel Aviv.
Marrëveshja do të jetë vetëm në formë huazimi, ndërsa ende nuk dihet nëse klubi izraelit do të ketë ndonjë opsion blerje për futbollistin, i cili ka kontratë deri në fundin e vitit 2027 me Hamburgun.
Trajneri i Hamburgut Merlin Polzin ia ka bërë të qartë skuadrës gjermane se nuk i dëshiron “lojtarët që nuk japin 100 për qind për klubin”, ndërsa pjesë e kësaj liste raportohet të jetë edhe Sahiti.
Siç raporton mediumi pranë klubit “Hamburger Abedblatt”, marrëveshja është praktikisht e kryer, pasi Sahiti s’është në planet e trajnerit që kur humbi vendin e titullarit në humbjen e derbit të qytetit kundër St.Pauli.

“Maccabi Tel Aviv do të nënshkruajë me Emir Sahitin në formë huazimi. 27-vjeçari është rrugës për në Izrael”.
“Sahiti ka kontratë deri më 2027, ndërsa do të jetë largimi i katërt për këtë afat dimëror. Ai u transferua për 1.2 milionë euro por anësori kurrë nuk u bë lojtar i padiskutueshëm në formacion. Pas promovimit, ai luftoi për vendin titullar kundër Rayan Philippe, por e humbi në derbin e qytetit ndaj St. Pauli”, raporton mediumi gjerman.
Përndryshe, Sahiti nuk i ka punët mirë as me përzgjedhësin Franco Foda shkaku që e refuzoi ftesën e Kosovës në muajin qershor duke u ankuar se në formacionin e “Dardanëve” po luajnë lojtarë që nuk e meritojnë./Telegrafi




















































