E kërcënoi Kurtin, e kthejnë 30 ditë në paraburgim Haxhi Hotin
Ish-kandidati për deputet i Nisma Socialdemokrate, Haxhi Hoti i cili javë më parë përmes një shkrimi në Facebook kërcënoi kreun e LVV-së Albin Kurtin, është kthyer në paraburgim. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënës i Gjykatës së Apelit Arbër Jashari. Ai është ndaluar në arrest për 30 ditë pasi Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e Prokurorisë së Shtetit që t’a shfuqizojë masën e sigurisë që Gjykata Themelore e Prishtinës ndërmori javën që shkoi ndaj Hotit. “Është aprovuar ankesa e prokurorisë, pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë. Të pandehurit në fjalë i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, duke u llogaritur nga dita e arrestimit”, ka deklaruar Jashari. Ndryshe, Hoti ishte arrestuar më 28 dhjetor 2019, nga Policia e Kosovës, kishte thënë se Kurti ose duhet ta lëshojë Kosovën, ose të vritet, pasi sipas tij, nuk është interes i Kosovës që të jetë kryeministër.
Ndaj deklaratës së tij, pati reagime të ashpra.
Më pastaj, Hoti i bie pishman dhe kishte fshirë statusin e tij në Facebook, duke thënë se ishte një gabim teknik./Telegrafi/





























