Scholz: Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha të mërkurën se ishte në interes të Gjermanisë dhe Evropës që vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtarë të BE-së.
Gjithashtu përshëndeti edhe vendimin për t'i dhënë Bosnjës-Hercegovinës statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Është në interesin tonë gjerman dhe evropian që pjesa tjetër e Ballkanit të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Scholz para deputetëve në Bundestag, raporton theguardian.
Diplomatët në Bruksel të martën ranë dakord të pranojnë Bosnjën si kandidate për anëtarësim, një vendim që pritet të miratohet nga krerët e qeverive të BE-së në samitin e së enjtes në Bruksel.
Në radhën për anëtarësim, Bosnja i bashkohet katër vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor – Malit të Zi, Serbisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë – si dhe Turqisë, Moldavisë dhe Ukrainës.
Mbështetësit e zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt lindjes argumentojnë se angazhimi i bllokut me Ballkanin Perëndimor është jetik për mbrojtjen e sigurisë evropiane përballë agresionit rus.
Kandidatura e Moldavisë dhe Ukrainës u konfirmua në qershor, menjëherë pas pushtimit të kësaj të fundit nga Rusia, megjithëse procesi i anëtarësimit mund të zgjasë me dekada. /Telegrafi/




















































