Dyshimet për manipulime në Mitrovicë, KQZ: Gabim teknik në shtypjen e kodit të vendvotimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas ndërprerjes së procesit të numërimit të votave në Mitrovicë, duke njoftuar se është konstatuar një gabim teknik në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimeve, konkretisht në kodin e vendvotimit.
Në komunikatën për media, KQZ bën të ditur se gabimi është identifikuar në disa prej dengjeve të fletëvotimeve, sipas informatave të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut.
Sipas sqarimit, kompania përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve ka pranuar mundësinë që defekti të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile, ndërsa është zotuar se në ditët në vijim do të dorëzojë sqarim zyrtar lidhur me këtë rast.
KQZ thekson se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë, dhe për çdo vendvotim numrat serikë përputhen plotësisht me ato të verifikuara në Qendrat Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.
KQZ thotë se gabimi teknik nuk ndikon në integritetin e votimit.
"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve siguron publikun, votuesit dhe të gjithë akterët e përfshirë në procesin zgjedhor se ky gabim teknik nuk ndikon në asnjë mënyrë në integritetin e procesit të votimit apo të numërimit të votave, pasi fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që garantojnë se ato nuk mund të falsifikohen apo kopjohen", sqaron tutje KQZ./Telegrafi/



















































