Rrjeti i organizatave joqeveritare “AVONET” ka ngritur shqetësime për transparencën dhe integritetin e procedurës për një rast të dyshuar për konflikt interesi brenda një procesi të rekrutimit në Policinë e Kosovës, konkretisht në Drejtorinë Rajonale në Gjilan. 

Organizata që monitoron llogaridhënien dhe transparencën në institucionet publike i është drejtuar Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), duke kërkuar inicimin e një hetimi administrativ për këtë çështje.


Telegrafi ka arritur të siguroj dokumentin e dorëzuar nga organizata në APK-në, derisa bëhet e ditur se konkursi ka të bëjë me pozitën “Zyrtar i Lartë i Personelit”.

“AVONET” pretendon se nga burimet e tyre rezulton që Valdete Shehu është eprorja direkte e kandidatit të shpallur fitues, Ergin Ismaili.

“Kjo rrethanë përmbush elementët e një konflikti të dukshëm interesi në kuptim të nenit 6 dhe 3.1.2 të Ligjit Nr. 06/L-011, pasi krijon dyshim të arsyeshëm se vendimmarrja në procesin e vlerësimit mund të jetë ndikuar nga raporti hierarkik dhe profesional”, thuhet në dokument.

Në kërkesën e dorëzuar në APK, thuhet se nuk ka dëshmi se zyrtarja në fjalë ka bërë vetëdeklarim për këtë rrethanë, siç e parasheh neni 17 i ligjit në fuqi.

“Deri më tani, nuk kemi informacione që dëshmojnë se një deklarim i tillë është bërë dhe as që është ndërmarrë ndonjë veprim për shmangien e pjesëmarrjes në panel”, thuhet tutje në kërkesë.

Po ashtu, theksohet se nuk ka ndonjë dëshmi se është ndërmarrë ndonjë veprim për të shmangur ndikimin e anëtares së panelit vlerësues.

Organizata kërkon nga Agjencia që të nisë një hetim të plotë administrativ për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të ligjit dhe, pas shqyrtimit të rastit, të ofrojë një vendim me shkrim dhe të publikojë çdo masë apo rekomandim që do të ndërmerret, në funksion të garantimit të integritetit institucional dhe mbrojtjes së interesit publik.

Ndryshe, Telegrafi ka kontaktuar edhe policinë në Gjilan, ku të njëjtit nuk e cilësojnë rastin si konflikt interesi.

"Nuk ka pasur parregullësi në konkurs, janë ndjekur të  gjitha procedurat ligjore dhe ne nuk e cilësojmë si konflikt interesi", ka thënë Valon Osmani, zëdhënës i policisë në Gjilan./Telegrafi/