Vëllai i një krimineli famëkeq shqiptar është dënuar me burg pas përfshirjes në një tentativë të organizuar vjedhjeje me thyerje, e cila i shkaktoi “shqetësim të madh emocional” futbollistit profesionist Scott Hogan dhe bashkëshortes së tij shtatzënë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 në shtëpinë luksoze të Hoganit në Cheshire, ku sulmuesi u zgjua nga një dritë pishtari që depërtonte në dhomën e gjumit, pasi hajdutët ishin ngjitur deri në katin e parë të banesës.


Hogan, 33 vjeç, ish-lojtar i Aston Villas dhe Brentfordit, i cili ka zhvilluar 12 ndeshje me Kombëtaren e Irlandës, tentoi të ndiqte autorët, por ata arritën të largoheshin nga vendngjarja.

Policia arrestoi më vonë Denis Pukën (28 vjeç) dhe Erisjan Laskën (29 vjeç), të cilët pranuan se kishin planifikuar një seri bastisjesh ndaj pronave luksoze në zona të izoluara.

Hajdutët Denis Pukën (28 vjeç) dhe Erisjan Laskën (29 vjeç)

Denis Puka është vëllai i Dorian Pukës, një emër i njohur për autoritetet britanike, i cili ishte burgosur dhe deportuar dy herë më parë për vepra të ngjashme, përpara se të rikthehej ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Në deklaratën e tij para gjykatës, Scott Hogan tha se ngjarja i kishte shkaktuar “dëm të madh psikologjik” familjes së tij, duke e lënë të frikësuar për sigurinë e bashkëshortes dhe fëmijëve, sidomos gjatë kohës kur ai është larg shtëpisë për shkak të karrierës.

Ai shtoi se ishte detyruar të shpenzonte mijëra euro për një sistem të ri sigurie, duke e cilësuar situatën si “një makth për çdo prind” dhe tepër dekurajuese për dikë që ka punuar fort për të ndërtuar jetën e tij.

Scott Hogan

Gjykata e Kurorës në Chester u informua se banda kishte përdorur maska, mjete profesionale, radio komunikimi dhe makina me targa të klonuara, ndërsa kishte arritur të vidhte vetëm dy ora luksoze, një Rolex dhe një Omega.

Të dy të pandehurit pranuan fajësinë për komplot për të kryer shtatë vjedhje me thyerje brenda dy ditësh dhe u dënuan me nga katër vjet e tetë muaj burg, ndërsa gjyqtari Steven Everett i cilësoi veprimet e tyre si “të neveritshme dhe të përçmueshme”.

Scott Hogan dhe bashkëshortja e tij

Denis Puka do të përballet gjithashtu me procedura deportimi pas përfundimit të dënimit, ndërsa policia britanike theksoi se rasti dëshmon vendosmërinë e autoriteteve për të ndjekur dhe ndëshkuar krimin e organizuar, pavarësisht përpjekjeve për t’iu shmangur drejtësisë.

telegrafi sport app