Dy shoferë ndëshkohen për gara shpejtësie në Ferizaj, gjobiten me nga 500 euro

Policia e Kosovës ka ndëshkuar dy shoferë të cilët janë kapur duke zhvilluar gara shpejtësie në një nga rrugët e qytetit të Ferizajt.
Sipas njoftimit të Policisë Rajonale në Ferizaj, rasti ka ndodhur më 5 mars 2026, rreth orës 00:25, kur njësia e Komunikacionit Rrugor ka ndaluar dy drejtues automjetesh në rrugën “Rexhep Bislimi”.
Bëhet fjalë për dy shoferë me inicialet A.K., të moshës 22 dhe 19 vjeç, të cilët po drejtonin vetura të tipit VW Golf me targa vendore dhe janë kapur në flagrancë duke zhvilluar gara shpejtësie.
Për këtë kundërvajtje të rëndë në trafik, ndaj tyre është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 eurosh. Po ashtu, atyre u është shqiptuar edhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit për 12 muaj në territorin e Republikës së Kosovës, pasi posedonin patentë-shofer të huaj.
Policia Rajonale në Ferizaj u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që të shmangin garat e shpejtësisë, duke theksuar se veprime të tilla përbëjnë rrezik serioz për jetën e tyre dhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Njëkohësisht, Policia ka paralajmëruar se do të intensifikojë kontrollet në të gjitha rrugët e rajonit të Ferizajt me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe ka ftuar qytetarët që çdo shkelje ta raportojnë në numrat 192, 0290 326 250, 0290 364 406 ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”. /Telegrafi/



















































