Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë ka ndodhur në zonën e Llogarasë, pranë “Gropave të Pirit”, ku 22 kuaj janë qëlluar me armë gjahu, duke shkaktuar një masakër të vërtetë ndaj kafshëve të pambrojtura.

Pamjet e siguruara nga Euronews Albania tregojnë plagët e rënda në trupat e kuajve, të shkaktuara nga saçmet.


Sipas banorëve të zonës dhe aktivistëve, 4 kuaj kanë ngordhur menjëherë, disa të tjerë janë plagosur rëndë dhe kanë nevojë për trajtim veterinar, ndërsa pjesa tjetër është fshehur në pyjet e Karaburunit dhe ende nuk është gjetur.

Burime nga terreni dyshojnë se autorët mund të jenë gjahtarë të paligjshëm ose persona të përfshirë në konflikte për konkurrencë ndërmjet guidave turistike.

Megjithatë, kjo pistë mbetet për t’u verifikuar, pasi policia ende nuk ka identifikuar autorët.

Aktivistët për mbrojtjen e kafshëve kërkojnë masa ligjore të rrepta për të parandaluar akte kaq mizore. /Telegrafi/