Mesfushori brazilian Ederson është kthyer në një nga emrat më të përfolur të afatit kalimtar veror, teksa është bërë objektiv i tri klubeve të mëdha evropiane. Atalanta e ka vlerësuar kartonin e tij në 55 milionë euro.

Ederson ka qenë ndër figurat kyçe në mesfushën e Atalantës, duke pasur një ndikim të madh në sukseset e klubit gjatë sezonit të fundit dhe  paraqitjet e tij nuk ka kaluar pa u vënë re.


Sipas “Sky Sport”, drejtuesit e Atalantës janë të vetëdijshëm për interesimin në rritje dhe kanë vendosur një çmim të lartë prej 55 milionë eurove për të frenuar ose përfituar maksimalisht nga një shitje e mundshme.

Manchester United ka kohë që e ndjek brazilianin dhe e ka në listën e dëshirave. Liga Premier mbetet një destinacion shumë atraktiv për Edersonin, dhe Djajtë e Kuq janë të gatshëm të hyjnë fuqishëm në garë.

Por anglezët nuk janë të vetmit të interesuar. Edhe dy gjigantët italianë, Interi dhe Juventusi, kanë shfaqur interes konkret për shërbimet e tij, të impresionuar nga paraqitjet në Serie A.

Në Bergamo janë të vetëdijshëm për presionin e klubeve të mëdha që po ushtrohet mbi lojtarin. Megjithatë, Atalanta nuk ka ndërmend ta lëshojë lehtë, përveç nëse merr një ofertë që e përmbush vlerësimin e vendosur.

E sigurt është që Ederson do të jetë një nga emrat më të nxehtë të këtij afati kalimtar veror, teksa garës për firmën e tij po i shtohen gjithnjë e më shumë pretendues seriozë. /Telegrafi/

telegrafi sport app